Lajmet e fundit

Gazetari britanik Vaughan Smith dhe rrëfimi për "loçkën" e tij, Land Roverin e kohës së luftës në Kosovë. Foto: Klankosova.tv[/caption]
Ai tha se kjo makinë ka shkelur në shumë rrugë të Drenicës dhe Deçanit, madje thekson se është kampion në këtë fushë.
“Po, kanë mbetur vetëm një ose dy nga këto makina. Nuk kanë mbijetuar (tjerat), dhe pasi që ky automjet është parë në Drenicë më shumë se çdo automjet tjetër, i bie që në njëfarë mënyre kam jetuar atje. Unë kryesisht po punoja për BBC-në si gazetar i pavarur, shkoja rrugëve të pasme, dhe arrija të shmangja pikat e kontrollit, pra pikat serbe të kontrollit, dhe për ta bërë një gjë të tillë, atëherë unë e dija se ku ata ndodheshin prandaj duhej të gjeja të gjitha rrugët që ndodheshin prapa tyre, e kësisoj pata arritur që ta mësoja shumë mirë Drenicën, njashtu edhe zonën e Deçanit. Prandaj, ky automjet më shumë se çdo automjet tjetër ka qenë mbi kodra, duke vozitur përreth. Janë automjete të rënda, mund ta imagjinoni, dhe ia dalin shumë mirë në akull, por në baltë janë të tmerrshme. E kam pasur një çikrik përpara, por e pata shitur, dhe më kujtohen raste të panumërta kur ngecja në baltë, dhe gjithmonë vinte një traktor i ndonjë shqiptari që na nxirrte nga aty. Pra, ata gati u patën mësuar me mua: Ah, paska ngecur ky sërish, dhe e dërgonin një traktor për të më nxjerrë nga aty”, tha Smith në këtë intervistë.
Gazetari britanik tha se forcat serbe shpesh shtinin në makinën e tij, “vetëm sepse mundnin”.
“Oh po, e njihnin automjetin. Serbët ndodhte të shtinin. Ata nganjëherë shtinin në të sepse mundnin, sepse ishte automjet i blinduar, andaj pse të mos shtinin në të, ishte edhe e bardhë, me pak fjalë. Si dhe ishin shumë jomiqësorë. Çfarë ata bënin, është që të shihnin duke ardhur, dhe mund të tregoheshin shumë armiqësorë, shumë kanosës, por në përgjithësi, ata, pra serbët, e kishin hallin e autoritetit – është një gjë e jugosllavëve kjo, prandaj nuk të vrisnin pos nëse e kishin lejen për ta bërë një gjë të tillë. Por prapë mund të ishin shumë të vrazhdë me ne, veçanërisht me përkthyesit dhe aranzhuesit të cilët i kishim shqiptarë, prandaj duhej të kujdeseshim për ta”.
“Prandaj, njëra prej arsyeve pse nuk duhej të kaloje nëpër pikat serbe të kontrollit ishte nëse e kishe me vete një përkthyes shqiptar. Kam punuar shumë për shembull me Jeta Xharrën, Safet Gashin, Fisnik Abrashin kësisoj, prandaj ata ishin qartazi më të cenueshëm se sa që ishim ne”, tha Smith.
Ndërkaq, tregoi edhe se çfarë u bënin serbët kur i ndalonin në “loçkën” e tij.
“Çfarë serbët bënin zakonisht ishte që na e merrnin kasetën. Ah ja, po jua tregoj, ne e kemi pasur një ndarje të fshehtë këtu (tregon vendin në video). Është e vështirë për ta parë, por ndodhet këtu. Ne e nxirrnim kasetën sapo ia mësynim një pike serbe të kontrollit, e kthenim kasetën aty, ia vinim vidhat, sepse ishte me vidha, e fusnim një kasetë tjetër, xhironim gjëra të kota, ta zëmë në pjesën e pasme të automjetit, dhe ata zakonisht as që e shikonin kasetën, vetëm e merrnin atë. Pra, ka pasur shumë xhirime që i ka parë komuniteti ndërkombëtar e të cilat janë xhiruar prej nga ky automjet, apo për xhirimin e së cilave ishte shfrytëzuar ky automjet”, tregoi ai.
E në fund, ai tregoi edhe për ditën kur pati fjetur mbi kulmin e “loçkës” së tij afër shtëpisë së Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit.
Thotë se meqë shtëpia e tyre ishte e mbushur plot, ai kishte vendosur të flinte mbi makinë, ndërsa shtoi se vrasja e Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit erdhi vetëm 2-3 ditë pas kësaj ngjarjeje.
“Po ashtu e pata bërë një vend për të fjetur sepse kjo qe bërë si shtëpia ime. Sipër kisha një telefon, njërin prej modeleve më të hershme të telefonit mobil, një çikrik përpara, dhe kisha një shtrat, prandaj kam fjetur mjaft shpesh në këtë automjet. Nganjëherë flija edhe mbi kulmin e tij. Një herë e pata vizituar Fehmi Lladrovcin, në fakt dy ose tri ditë para se ai dhe bashkëshortja e tij të vriteshin, e kam vizituar në këtë automjet, por shtëpia kishte qenë plot, dhe mendoja që do të isha më rehat këtu, prandaj pata fjetur mbi kulmin e këtij automjeti para shtëpisë së Fehmi Lladrovcit dy-tri ditë para se ai të vritej”, u shpreh gazetari britanik Vaughan Smith.
Ndiqeni me video intervistën e tij:
https://youtu.be/qqam5eGloMc