Në Kosovë janë 1200 fëmijë pa përkujdesje prindërore, 600 prej të cilëve kanë mbetur pa prindër gjatë kohës së luftës. Kjo u bë e ditur nga përfaqësuesja e koalicionit të OJQ-ve “KOMF” në diskutimin që e organizoi komuna e Prishtinës me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Familjes”
Në fillim fjalën e morri drejtoresha e kulturës, rinisë dhe sportit në Prishtinë, Saranda Bogujevci e cila tha se familja e shëndoshë është themeli i një shoqërie të shëndoshë.
“Shkaku që në të kaluarën kemi qenë popull pa institucionet tona, institucioni i vetëm nëse mund ta quaj kështu që ka luajtur rol të veçantë dhe ka pasur rëndësi në formimin e individit ka qenë familja. Andaj, edhe sot kur kemi më shumë përparësi në krahasim me të kaluarën, asnjëherë nuk duhet të harrojmë rëndësinë dhe rolin e familjes në shoqëri”, tha Bogujevci.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 15 Maji është Dita Ndërkombëtare e Familjes. Kjo ditë njihet në botë që nga viti 1993, kur u soll rezoluta për shënimin e Ditës së Familjes. Familja si shtyllë e çdo shoqërie mbrohet nga Kombet e Bashkuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
●●●
DGSHKRIMI NGA
Donika Gashi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.