Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar Valon Aliun me 24 vjet burgim për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Erona Cokli.
Sipas njoftimit të Gjykatës, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva - Daci – kryetare e trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin Aliu, e shpalli fajtor për veprën penale “vrasja e rëndë” dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej njëzet e dy (22) vite, për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 viti, si dhe për veprën penale “kanosja” i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vitesh
“Konform nenit 76 paragrafi 2 nën paragrafi 2.2 të KPRK-së, të pandehurit për tri vepra penale i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëzet e katër (24) vite në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 12 prill 2024, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, u tha në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata tha se Valon Aliu akuzohet se: “me datë 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C. me të cilën ka bashkëjetuar, ashtu që fillimisht në ditën kritike, rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për t`ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthej në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas 40 minutave kthehet pa fëmijë në QPS, ku fillimisht bisedon me zyrtaren Q.Z., pastaj del jashtë ku në një lokal pret dhe rreth orës 14:40 minuta vërejnë të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C., pastaj para tyre hynë në zyrën e QPS-së dhe posa aty mbërrin e ndjera së bashku me vëllain e saj, pas një fjalosje të shkurtër, nxjerrë nga brezi armën e tipit ‘ZORAKI M 2906-T’".
"Të ndjerën E., fillimisht me një të shtënë e godet në kraharor, pastaj me dashje që ta privojë nga jeta, shtënë edhe në të dëmtuarin D.C., të cilin e godet në krahun e djathtë pasi i dëmtuari, duke mbledhur krahët, instinktivisht është tkurr, pastaj derisa e ndjera E. fillon të largohet në drejtim të dritareve, e godet edhe një herë në gjoks dhe në fund e godet në anën e majtë të kokës 3cm mbi laprën e veshit, për pasojë e ndjera ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.
“Në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi Pistoletën e tipit ‘ZORAKI M 2906-T’, cal. 9mm PAK me një karikator të zbrazur e cila më 12 prill 2024, iu është konfiskuar nga policia. Më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së qendrës për punë sociale në Ferizaj, pasi vret të ndjerën E.C. me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht me përdorimin e armës e kanos të dëmtuarën Q.Z., duke ia vendos armën në ballë dhe i drejtohet me fjalët ‘shuaj se të gjuj edhe ty’”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
Arma u konfiskua në mënyrë të përhershme, siç përshkruhet në aktakuzë.
Gjykata tha se të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohen në kontest civil.
Gjithashtu, kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Klankosova.tv
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.