24-vjetori i rënies së heroit Xhevat Isufit mblodhi shumë njerëz në Vushtrri. E gjithë ngjarja ku u përkujtua dëshmori mitrovicas, që vdiq në komunën ku po kujtohet, nis me intonimin e himneve. Organizatorët nuk i kursyen fjalët e mëdha për veprimtarinë e trimit.
“U flijua për atdheun që Kosova sot të jetë e lirë, e pavarur dhe sovrane. Por ende edhe sot e 24 vjet më pas, Kosova rënkon nga padrejtësitë që po i bëhen, sot padrejtësisht po mbahen dhe po gjykohen në Hagë krerët e Ushtrisë Çlirimtare”, u shpreh Ferit Idrizi, kryetar i Komunës së Vushtrrisë.
Për ish-krerët e UÇK-së foli edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.
“Jemi këtu për ta nderuar jetën dhe veprën e dëshmorit Xhevat Isufit, por jo për herë të fundit, sepse emri dhe vepra e heroit do të vazhdojë të jetojë me lavdinë e tij e me lirinë e atdheut. Siç po shihet kontributi i atdheut nuk ka mbarim, vazhdon”, tha ai.
E prezenca e gjithë këtyre njerëzve ua lehtëson dhimbjen e ua shton krenarinë familjes së Isufit.
“Secila rënie në kohën e luftës ka qenë e rëndë për familjarë, mirëpo e ka mundur krenaria rënien e babait tim dhe nuk ka asgjë më të veçantë sesa flijimi për atdheun”, deklaroi Esat Isufi, djali i dëshmorit.
Të pranishmit lanë lule para pllakës përkujtimore të heroit.
https://www.youtube.com/watch?v=WF7MLjQBUbs
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.