Lajmet e fundit

Sipas Ahmetajt, unifikimi i alfabetit ishte parakushti për krijimin e shqipes standarde, duke shtuar se pas 114 vjetësh, gjuha shqipe po zhvillohet e përsoset gjithnjë e më shumë me forma e përmbajtje të reja.
"Rëndësia e Kongresit të Alfabetit është e madhe sepse alfabeti ishte parakushti për krijimin e shqipes standarde. Sot pas kaq shumë vitesh, gjuha standarde shqipe po zhvillohet dhe po përsoset. Ajo gjithnjë po pasurohet me forma e përmbajtje të reja. Gjithashtu, është bërë edhe gjuhë kulture, që ndërton mënyra të të shprehurit me nunacime të holla stilistike e komunikative. Ajo vazhdon të përsoset e normohet edhe në përdorimet më të veçanta, për shembull në stile të ndryshme të të shkruarit, në publicistikë, në letërsi, në stilin shkencor, administrativ dhe atë bisedor", u shpreh gjuhëtarja.
Se pse alfabeti latin triumfoi ndaj të tjerëve, gjuhëtarja e shquar Prof.dr. Sala Ahmetaj, tha se ka të bëjë edhe me orientimin properëndimor të kombit shqiptar.
"Përcaktuese për vendimet e Kongresit të Alfabetit ka qenë komponentja kombëtare. Alfabeti latin ishte zgjidhja që e përfaqësonte një vetëdije politike dhe kombëtare sepse bëhej me qëllim që identiteti kulturor i shqiptarëve, të shprehej edhe me alfabet që do të ishte ndryshe nga alfabeti sllav, grek, turk. Pra, vendimet për alfabetin latin kanë pasur të bëjnë edhe me orientimin properëndimor të kombit shqiptar", vazhdoi Ahmetaj.
Ahmetaj thotë se përpjekjet e intelektualëve, gjuhëtarëve e patriotëve, që kërkojnë një gjuhë të përbashkët, kanë qenë të vazhdueshme, duke vënë theksin sidomos te Komisia Letrare e Shkodrës, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës e Kongresi i Drejtshkrimit.
"Përpjekjet kanë qenë të vazhdueshme, por janë disa momente që kanë shënuar zhvillime të rëndësishme, si për shembull Komisia Letrare e Shkodrës, ose Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, që është mbajtur në vitin 1968, pastaj përpjekjet e disa intelektualëve, si Konstantin Kristoforidhi, i cili është përpjekur t'i përdorë paralelisht në të njëjtin shkrim edhe elementet gege, edhe ato toske, kanë qenë përpjekje që kanë kulmuar me Kongresin e Drejtshkrimit, që është mbajtur në vitin 1972, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kjo sot konsiderohet si e arritura më e madhe sepse një komb mund të quhet i qytetëruar në qoftë se arrin të ketë një gjuhë të përbashkët standarde në nivel kombëtar", shtoi profesoresha.
Pra, siç thotë edhe gjuhëtarja e shquar, unifikimi i alfabetit ishte parakushti për krijimin e standardit më 1972. Edhe pse duket periudhë e gjatë, ato 60 vjet shënojnë lulëzimin e shqipes.
Punimet e Kongresit të Manastirit zgjatën tetë ditë, deri më 22 nëntor.
Në Kongresin e Manastirit u mblodhën atdhetarët më të mëdhenj shqiptarë të asaj kohe dhe përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes nacionalçlirimtare shqiptare. /Klankosova.tv