Emrush Gashi, 66-vjeçar, i dënuar për vrasjen e vëllait të tij më 14 korrik 2018 në Tërbovc të Lipjanit, është gjetur i vdekur para disa ditësh në një burg në Francë. Sipas raportimeve, ai ka kryer vetëvrasje.
Lidhur me këtë rast, Klankosova.tv ka kërkuar informacion nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, e cila ka konfirmuar se ka pranuar informata për vdekjen e tij përmes kanaleve ndërkombëtare.
Po ashtu, në përgjigjen e kësaj prokurorie bëhet e ditur se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë gjatë marsit të vitit të kaluar.
“Ju njoftojmë se më 27.03.2025, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ dhe veprën penale ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Klankosova.tv.
“Gjithashtu, kemi pranuar informata lidhur me vdekjen e tij përmes kanaleve ndërkombëtare dhe kemi pranuar edhe vërtetimin e vdekjes së tij. Aktualisht, ende jemi në pritje të aktvendimit nga Gjykata”.
Policia e Kosovës gjatë vitit 2018 kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e Emrush Gashit, nën dyshimin se kishte vrarë vëllanë e tij, M.G., 54 vjeç.
Ai ishte arrestuar pak vjet më pas, më 26 gusht 2021 në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar./Klankosova.tv
https://klankosova.tv/policia-kerkon-ndihme-per-gjetjen-e-personit-qe-dyshohet-se-e-vrau-vellaun/
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.