Organizata kulturore 7Arte, në Kuvendin e Përgjithshëm të rrjetit evropian Trans Europe Halles, është përzgjedhur për ta organizuar edicionin e vitit 2027 të TEH Camp Meeting, një nga ngjarjet më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor në Evropë.
Në vitin 2027, Mitrovica do të mirëpres rreth 200 organizata kulturore nga mbi 40 shtete, duke e shndërruar qytetin në një qendër të shkëmbimit artistik, rrjetëzimit profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Organizata thotë se “ky zhvillim përfaqëson një moment historik për 7Arte dhe për gjithë skenën e pavarur kulturore të Kosovës, duke ofruar mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vlerave lokale, forcimin e ekonomisë kulturore dhe rigjallërimin e Mitrovicës në të dy anët e lumit Ibër”.
“Trans Europe Halles” është një rrjet me rreth 200 qendra kulturore të pavarura, që mbështet transformimin e hapësirave të braktisura në qendra të gjalla për artin dhe komunitetin.
Përmes kampit të vitit 2027, “7Arte” synon ta vendos Mitrovicën në hartën evropiane të qendrave kulturore, duke i shndërruar hapësirat kulturore e publike në një burim të ri për zhvillim të qëndrueshëm, kreativitet dhe bashkëjetesë, transmeton Klankosova.tv.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.