Aeroplani presidencial turk pritet të zbarkojë në Prishtinë më së largu deri në fund të këtij viti.
Fluturakja do të sjellë për një vizitë zyrtare për herë të parë nga 2013-ta, presidentin e këtij shteti, Rexhep Tayip Erdogan.
Agjendën për këtë e ka përgatitur kryekëshilltari për Ballkan i Erdoganit, shqiptari nga Shkupi, Sabri Demiri, i cili foli në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova.
Edhe në këtë vizitë, Turqia mund të ketë një kërkesë si të 4 vjetëve më parë.
Ky shtet mund të lyp sërish deportim të shtetasve turq, pjestarë të organizatës FETO, që ky vend e konsideron terroriste, njofton Klan Kosova.
Demiri thotë se një kërkesë e tillë është legjitime, sikur më 2018, kur u deportuan gjashtë turqit, për të cilët në komision hetimor parlamentar u intervistua, ish presidenti, Hashim Thaçi.
Ky tash po akuzohet për krime lufte nga gjykata Speciale, të cilës Turqia, i ofroi garanci për gjykimin e tij në liri.
Kryekëshilltari i Erdogan, bëri me dije se presidenti turk mund të ndihmojë në forma të ndryshme dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë edhe në çështjen e targave.
Kjo, pa e përjashtuar mundësinë e takimit me liderët e të dyja vendeve.
E një marrëveshje finale e këtij procesi, ky thotë se do të dyfishonte investimet turke në Kosovë, të cilat sipas tij institucionet e këtij shteti s’kanë bërë boll për t’i përfituar.
Pavarësisht tensioneve midis Kosovës e Serbisë, e vlimeve në Bosnjë e Hercegovinë, Demiri nuk sheh në horizont një luftë të re në Ballkan, ndërsa e sheh Turqinë si të aftë që të shmangë diçka të tillë.
Kjo, derisa presidenti Erdogan, sipas tij, po bënë çmos që t’i jap fund luftës në Ukrainë, deri në fund të këtij viti.
Për këtë po planifikon, ndërmjetësimin e një takimi në Stamboll, midis presidentëve, Vladimir Putin dhe Volodimir Zelensky.
https://www.youtube.com/watch?fbclid=IwAR1-mkcbiy84Y0TEjs-ljZk6mrmfu8c1426XseVYyjRXB2oK7oDYxnkI95U&v=s2A_k5CpbOg&feature=youtu.be
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.