Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij ka një plan më të guximshëm dhe shumë ambicioz për transformimin e sistemit shëndetësor.
“Duam ta ndërtojmë një Spital të Ri. Tërësisht të ri, në lokacion krejt të ri. Modern, të kohës, me qëllime për të siguruar e përballuar nevojat shëndetësore të popullsisë për 50 vitet e ardhshme. Qendra Klinike Universitare, këtu në Prishtinë, është ndërtuar në vitin 1964, dhe në gjithë papërshtatshmërinë e saj, ajo vazhdon të marrë invesitme meremetuese por asnjëherë të jetë në nivel me spitalet që rëndom i gjejmë në rajon”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se i kanë ndarë 250 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri.
Ai tha se LDK-ja parasheh edhe menaxhim ndërkombëtar të spitaleve tona, me qëllim të ndarjes, të menaxhmentit shëndetësor nga profesioni shëndetësor.
LDK po ashtu me programin politik “Rruga e Re”, parasheh sigurime shëndetësore 3.5% + 3.5%; digjitalizim i plotë i shëndetësisë dhe sistem informativ shëndetësor; menaxhim ndërkombëtar i spitaleve, 150 milionë euro investime në pajisje të reja; si dhe koeficient 150 për stafin shëndetësor.
Kreu i LDK-së para ekspertëve të shëndetësisë së kësaj partie, foli edhe për ikjen e mjekëve nga Kosova.
“Për të adresuar këtë problem dhe për të ndihmuar në mbajtjen e mjekëve të rinj në vend, ne, përveç se do t’i rrisim pagat nëpërmjet koeficientit 150, do të garantojmë dhe punësimin brenda 6 muajve nga përfundimi i studimeve për të gjithë mjekët e rinj; gjersa, specializimi me pagë do të garantohet brenda dy viteve nga përfundimi i studimeve të tyre”, tha ai.
Ai po ashtu tha se do të investojnë edhe në modernizimin dhe zhvillimin e 7 spitaleve rajonale ekzistuese, në mënyrë që të ofrojnë shërbime të plota të kujdesit dytësor për pacientët e rajoneve përkatëse.
Sot LDK bashkë edhe me ekspertët nga Departamenti i Shëndetësisë në Pejë, e kanë bërë edhe prezantimit e programit nga kjo fushë.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.