Në Krishtlindjet e kaluara, Waheed Sabawoon dhe familja e tij ishin fshehur në dhomat e errëta të shtëpisë së tyre me pamje nga Kabuli, nga frika se trokitja e radhës në derë do të ishte nga talibanët.
“Ishte një kohë bombash dhe frike ku kërcënimi i sulmeve hakmarrëse ishte mbi ne dhe ne pyesnim veten sa herë dilnim nga shtëpia nëse do të ktheheshim”, kujton ish-përkthyesi.
Shumë kohë përpara se talibanët të pushtonin qeverinë afgane në gusht, celulat e luftëtarëve kishin kryer atentat në shënjestër të vendasve që kishin ndihmuar Perëndimin gjatë luftës.
“Kishte pasiguri dhe frikë të vërtetë. Anglia ishte një ëndërr, ajo përfaqësonte shpresën për mua dhe familjen time, dhe për të gjithë ne që rrezikuam jetën tonë pranë ushtarëve britanikë. Kishim frikë se mund të mos bëhej kurrë realitet, por kishim nevojë që ajo ëndërr të realizohej”, thotë ai.
Tani 30-vjeçari, i cili punoi për tre vjet me spiunët ushtarakë dhe trupat e vijës së parë në provincën Helmand, po pi një kafe në tregun e Krishtlindjeve të Bristolit, me Jingle Bells në sfond. Djali i tij Naveed, 4 vjeç, po shijon një çokollatë të nxehtë me krem.
Me gruan e tij Mashita, 29 vjeç, dhe vajzën dyvjeçare Muska, Waheed tani e quan Bristol shtëpi.
“Kontrasti është aq i madh sa është e vështirë të besohet”, thotë ai. “Ëndrra jonë është realizuar. Krishtlindja jonë e parë në Britani do të jetë diçka që nuk do ta harrojmë kurrë. E di që njerëzit japin dhurata dhe falënderojnë në Krishtlindje për atë që kanë, dhe do të doja të falënderoja Qeverinë Britanike. Por mbi të gjitha, dhe me gjithë zemër, dua të falënderoj Daily Mail. Nuk hoqët dorë kurrë nga përkthyesit. Ju e bëtë të mundur këtë. Është dhurata më e madhe që mund t'i bësh familjes time”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.