Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi, aktivistja Flutura Kusari pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) kanë vlerësuar se procesi në fjalë siç thonë “është haptazi i komprometuar dhe nuk përmbush standardet minimale për të siguruar që përbërja e re e KPM-së do të garantojë rregullim dhe pluralizëm të mediave në Kosovë”.
Sipas tyre, Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar emra për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë dëshmuar me vendime të gjykatave të rregullta se kanë cenuar ose shkelur Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, apo persona që janë të njohur si propagandues të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Një qasje e tillë cenon integritetin e procesit dhe besueshmërinë e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e KPM-së, nëse këta persona potencialisht emërohen në KPM.Në këtë drejtim, i rekomandojmë Komisionit Ad Hoc që ky proces të mos procedohet tutje dhe të kthehet në pikën zero për këto arsye:
Legjitimiteti i institucionit të KPM-së garantohet vetëm përmes një procesi të përzgjedhjes së anëtarëve të bazuar në ligj dhe me integritet. Ky proces nuk e ka garantuar këtë parim. Moszbatimi i këtij standardi cenon besueshmërinë e publikut dhe mediave që vendimet e KPM-së të perceptohen si të drejta dhe të pranueshme”.
Gjithashtu bëhet e ditur se në proces kanë aplikuar gjithsej 30 individë për gjashtë pozita të lira
“ Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së është zhvilluar ndërmjet datave 17 dhe 20 prill, që përfshin gjithsej dy ditë pune, duke marrë parasysh fundjavën. Më 17 prill janë shqyrtuar dosjet e kandidatëve dhe është diskutuar metodologjia e intervistimit, ndërsa më 20 prill janë mbajtur 23 intervista. Procesi ka përfunduar rreth orës 19:30 të mbrëmjes së datës 20 prill. Paraprakisht, Komisioni Ad Hoc kishte dështuar të mblidhej për shkak të mungesës së kuorumit të plotë më 10 dhe 14 prill.
Ky proces i kontestuar cenon rëndë pavarësinë institucionale të KPM-së, duke pasur parasysh që ky institucion rregullon sektorin mediatik në Kosovë dhe është thelbësore që anëtarët e tij të mos zgjidhen përmes ndikimeve politike apo interesave partiake.
Ata njëherësh vlerësojnë se ndër kandidatët e rekomanduar për seancë plenare, dy persona kanë histori problematike me KPM-në.
“Besnik Berisha është ish-kryetar i kundërligjshëm i KPM-së, i cili u zgjodh më 17 janar 2025, vetëm tre ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, përmes ndryshimit të kundërligjshëm të rregullores. Sipas padive të Institutit për Drejtësi të Kosovës, Gjykata Supreme ka anuluar ndryshimin ligjor dhe më pas Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të paligjshëm vendimin e KPM-së për zgjedhjen e tij në pozitën e kryetarit”, thuhet më tej në një njoftim të monitoruesve të këtij procesi të cilin njoftim e gjeni të plotë më poshtë.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.