Britaniku Andy Murray ka shtyrë rikthimin e tij pas operimit por ende shpreson që do të mund të luajë në Wimbledon gjatë muajit korrik.
31 vjeçari Murray, i cili nuk ka qenë aktiv qysh nga Wimbledoni i vitit të kaluar, iu nënshtrua një operimi në legen në muajin janar.
Ai kishte shpresuar që do të mund t'i rikthehej tenisit dhe të luante në turneun “Libema Open” në Rosmalen, 's-Hertogenbosch – Holandë duke filluar nga data 11 qershor.
"Unë nuk jam ende gati të kthehem. Unë kam synim që të luajë në javët e ardhshme por dua të jem 100% në formë kur të kthehem".
"Është për keqardhje që nuk do të jem gati për të luajtur në Hertogenbosch. Isha shumë i emocionuar që do të luaja në këtë turne për herë të parë", tha Murray, transmeton Klan Kosova.
Murray e ka fituar dy herë turneun më prestigjioz të tenisit, Wimbledon - në vitin 2013 dhe 2016 - turneu i këtij viti fillon më 2 korrik.
“Unë nuk kam qenë aktiv për afër një vit, gjë që është kohë shumë më e gjatë se sa unë apo ndonjë nga ekipi im ka pritur, por unë jam duke iu afruar momentit kur do të rikthehem".
“Unë kam filluar trajnimin disa ditë më parë dhe shpresoj se do të mund ta bëj rikthimin tim gjatë sezonit të turneve në bar", shtoi Murray.
Më herët gjatë kësaj jave, nëna e tenistit të njohur ka thënë për BBC Sport se i biri i saj nuk do të rrezikojë të luajë në Wimbledon derisa të jetë në formën e tij më të mirë.
"Gjëja më e rëndësishme është që ai të jetë mirë dhe të kthehet në formë dhe secili sportist i mirë do t'iu thoshte se nuk do të kthehet në lojë derisa të mund ta japin 100% nga vetja e tyre, veçanërisht në një ngjarje të madhe si Wimbledon", kishte thënë ajo.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.