Shtëpia e Arsim Gllogut u shemb kur fqinjët filluan të ndërtojnë afër tij.
Kryefamiljari tash e gjashtë vjet detyrohet të paguajë qira për vete dhe familjen, meqë vendi ku punuan dhe jetuan u bë i pabanueshëm për ta.
Gllogu, njëherësh edhe pronar i biznesit tashmë të pezulluar, D.P.Z. Gllogu, pretendon që në vitin 2017 objektin ia dëmtoi kompania Driloni Com me pronar Dalip Gashin, së bashku me Komunën e Prishtinës, pasi shumë pranë tij po ndërtohej një objekt banesor shumëkatësh i quajtur “Kulla e Muhaxherëve”.
Në padinë e vitit 2017, e drejtuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, avokatja e Gllogut, Merita Stublla-Emini, ka dhënë kronologjinë e çështjes, duke e cilësuar të domosdoshme që të përfundohen ekspertizat sa më shpejt që të jetë e mundur, duke theksuar se paditësi nga pronari i shtëpisë është shndërruar në qiramarrës dhe nga pronari i biznesit është shndërruar në punëtor.
Kati përdhes i shtëpisë përdorej për saldim, profesion ky që Gllogu e ushtroi me dekada, ndërsa pjesa tjetër shfrytëzohej për banim.
Para se të fillonin ndërtimet nga kompania Driloni Com, ekipet përkatëse dolën në vendngjarje për ta inspektuar shtëpinë e tij, e cila rezultoi që të jetë në rregull e pa asnjë problem.
Atëkohë, Komuna e Prishtinës e kishte ftuar Gllogun që të nënshkruajë një dokument, sipas të cilit, nuk pranon që shtëpinë e tij ta ofrojë për banesa.
Megjithatë, ky nënshkrim i tij nuk u mor parasysh, kjo ngase vetëm pak ditë më pas filluan punimet e që nuk shkoi gjatë dhe pilotet e ndërtimit ranë mbi të çka dhe bëri që disa pjesë të shtëpisë të shemben e dëmtohen.
Me të dalë nga shtëpia, familja Gllogu për një vit qëndroi me qira, e cila u mbulua financiarisht nga kompania Driloni Com, për të cilën Gllogu pretendon se e shkaktoi dëmin.
Gllogu hedh dyshimet lidhur me trajtimin e rastit të tij nga gjykata, duke thënë se që nga fillimi deri tash janë ndërruar deri në pesë gjyqtarë.
Ndër të tjera, Gllogu, gjatë rrëfimit të tij, thotë se njëra nga gjykatëset i kishte thënë se lënda e tij mund të zgjasë deri në 10 vjet.
Ky madje thotë që edhe kërkesat e shpeshta në prokurori e gjykata nuk po i bëjnë punë, ngase asnjë informatë rreth procesit nuk po mund ta marrin.
Për pronarin e shtëpisë ka edhe një telash tjetër, faturat e ujit si pasojë e dëmtimeve janë goxha të larta.
Nga dëmet që iu shkaktuan nga shembja, Arsim Gllogu nuk po mundet ende ta marrë veten. Madje as të rihapë biznesin e tij, në të cilin atëkohë kishte pesë punëtorë.
KIKS Kosova insistoi të marrë një përgjigje nga avokati i kompanisë Driloni Com, Besnik Berisha, por ai nuk pranoi të flasë asgjë rreth rastit përderisa ka ende një proces gjyqësor.
https://www.youtube.com/watch?v=a9Xix3Ksk5s
●●●
FHSHKRIMI NGA
Florentina Hoti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.