Një tifoz i Ballkanit (A.B) është rrahur të dielën në Gjilan, në ditën kur "Xhebrailat" ishin ballafaquar me Dritën në derbin e xhiros së 15-të të Superligës në futboll.
Klankosova.tv merr vesh se ai u sulmua nga A.Bislimi dhe një person tjetër, i cili dyshohet të jetë babai i këtij të fundit.
Në lidhje me këtë, Klankosova.tv ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili tha se pikërisht të dielën kanë pranuar një rast të sulmit fizik në rrugën “Kumanova” që është afër stadiumit.
Sipas tij, një person ka sulmuar një tjetër, me ç’rast ky i fundit kishte pësuar lëndime të lehta trupore për të cilat ka pranuar edhe tretman mjekësor.
Osmani i cili tha se nuk ka njohuri nëse rrahja ishte rreth lojës, bëri të ditur se në lidhje me këtë rast, është arrestuar një i dyshuar.
“Njësitet policore relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin e përfshirë në këtë incident. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit e vendim të së cilit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt në prokurori për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, thuhet në konfirmim.
Tifozi nga Suhareka ka arritur të ikë nga duart e sulmueseve vetëm pas ndërhyrjes së njërit prej pjestarëve të shtabit teknik të Ballkanit./Klankosova.tv

●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.