Kiks Kosova nis edhe zyrtarisht verifikimin e të dhënave të ardhura nga sinjalizuesja, për të kuptuar të vërtetën e huadhënies së "Bankës Popullore".
Për të vërtetuar të dhënat, Kiksi vendos të kamuflohet si një klient potencial, i cili ka nevojë për një kredi të madhe në vlerë prej 50 mijë eurosh.
Komunikimi nisi nga faqja zyrtare e kësaj banke në Facebook me emrin “Kredi Personale”.
Dhe përgjigjja e tyre ishte e menjëhershme.
“Përshëndetje sa euro ju duhen si hua”
Për të qenë bindës, Kiksi kërkon një kredi prej 50 mijë eurosh, me kushtin që kamata të jetë e ulët, në të kundërtën do të marrë vetëm 25 mijë euro.
Dhe përgjigjja ishte e menjëhershëm, ata ofruan një ofertë të volitshme dhe atë për shumën e kredisë në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Por kishin një kërkesë të fundit që biseda rreth ujdisë të zhvillohej në platformën Whats app.
“Mund të përfitoni një kredi deri në 100,000 euro pa problem dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Për më shumë informacion na dërgoni numrin tuaj në WhatsApp”
Kiksi vazhdon bisedën me personin që prezantohet si drejtor i Bankës Popullore, emri i të cilit na prezantohet si Hamadas, por ai është i rezervuar në prezantimin e tij, duke thënë se për shkaqe diplomatike nuk mund të na tregojë më shumë rreth vetës.
Norma e interesit për të marrë kredi na thuhet se është vetëm 2 për qind.
Oferta ishte e tillë, nëse dakordoheshim për të marrë 50 mijë euro kredi, Kiksi kredinë do ta paguante për 72 muaj, derisa fitimi i bankës ishte vetëm 1,120 euro, pra na binte që të kthenim 51,120 euro.
Kredia, sipas tyre, ishte e gatshme brenda pak orësh, nëse ne do të dakordoheshim ta merrnim atë, paratë do të transferoheshin po atë ditë.
Krejt çka Banka Popullore kërkon nga klientët e saj potencialë është vetëm letërnjoftimi dhe më pas procedurat e tjera që kryesisht janë pagesat që ata i kërkonin.
“Ne kemi nevojë për disa informacione personale për konstituimin e dosjes tuaj të kredisë 50.000 euro. Nëse keni nevojë për këtë kredi urgjentisht, ju lutem na dërgoni foton e KARTËS TUAJ TË IDENTITETIT TANI”.
Gjatë hulumtimit, Kiksi insistonte të merrte më shumë informacione rreth funksionimit të Bankës Popullore, por Hamadas, që prezantohet si drejtor, kërkonte të dhënat tona personale.
Për të na bindur, ai na dërgon një video që, sipas tij, ishin bërë nga klientët e tyre që ishin ndarë të kënaqur pas marrjes së kredisë.
Video do të zhdukej pas disa minutash.
Për të qenë më bindes, ai thekson se ka shumë klientë, të cilët kërkojnë kredi nga ai për shkak se bankat tjera kanë interes të lartë të kredisë.
“Ka shumë huamarrës që vijnë për të më lutur për një kredi. Sepse bankat ngarkojnë interes shumë të lartë dhe ndonjëherë refuzojnë të japin kredi”.
Në interesimin e Kiksit për vendndodhjen e bankës, përgjigjja na dërgon te vendet më të forta evropiane, si Austria, Gjermania dhe Franca, por deklarohet se ka filiale edhe në Kosovë dhe Shqipëri, filiale të cilat thotë se funksionojnë online.
Sidoqoftë, në rrjetin social Facebook vendndodhja e kësaj banke thuhet se është sheshi “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Por kjo bankë nuk mori kurrë licencë të funksionimit nga autoritet kosovare.
https://youtu.be/Bh5gGjNk1hI
●●●
KKSHKRIMI NGA
Kiks Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.