Faqja "Kredi personale", që thuhet se menaxhohet nga e ashtuquajtura "Banka Popullore", përveç të tjerash, është e përfshirë edhe në plagjiaturë.
Në këtë faqe mund të gjesh shumë video reklamuese, të cilat nuk janë në autorësinë e tyre.
Këto reklama që "Banka Popullore" i kishte marrë si të vetat nga rrjetet sociale të bankave kosovare, i ka edituar, duke ua hequr vetëm pjesën e fundit, ku tregon autorësinë së e kujt është reklama.
Kjo video ku prezantohen ofertat për kredi deri në 50 mijë euro pa kamatë dhe me norma interesi 4.8, të cilën mund ta gjesh te faqja Kredi Personale, nuk është krijuar nga stafi i "Bankës Popullore", por ajo i takon një tjetër institucioni financiar, Bankës për Biznes.
Madje në një kërkim të thjeshtë në internet mund të shihet qartë që reklama është marrë si tërësi, duke e shkëputur nga ajo vetëm fundin e ku qartësohet se oferta është e BPB-së.
Historia e njëjtë është edhe me ofertën për kredi të marrë nga Banka TEB.
Në një përgjigje elektronike për Kiks Kosovën, Banka Për Biznes ka sqaruar se ata nuk janë në dijeni për një gjë të tillë, për më tepër kanë theksuar se në vazhdimësi punojnë me klientët e tyre në fushën e sigurisë së informacionit, për t’i mbrojtur të dhënat e tyre personale.
“BPB-ja ju njofton se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë nga klientët tanë lidhur me rastin që ju keni përmendur. Megjithatë, dënojmë secilin keqpërdorim të identitetit tonë, si dhe ju sigurojmë se në vazhdimësi punojmë me klientët tanë në fushën e sigurisë së informacionit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. BPB-ja komunikon me klientët vetëm përmes kanaleve zyrtare të komunikimit dhe të njëjtëve në asnjë rast nuk u kërkohen të dhëna personale apo bankare.”, kanë thënë ata në një përgjigje elektronike për KIKS-in.
Kiksi ka provuar që të marrë edhe versionin e Bankës TEB, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
https://youtu.be/gLI_c5ND8wg
●●●
KKSHKRIMI NGA
Kiks Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.