Kandidati për kryeministër nga radhët e PD-së, Sali Berisha ka prezantuar programin qeverisës në Lezhë.
Berisha, në fjalën e tij tha se për 100 ditë qeverisë të tij, Lezha do të bëhet krejtëisht qytet tjetër, e Shqipëria shtet më i zhvilluar, transmeton Klankosova.tv.
Berisha, nuk la pa thumbuar as kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Ramën.
“Qytetarë dhe qytetare të Lezhës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ndaj jush që keni mbushur sot në mënyrë madhështore këtë shesh, por ndaj të gjithë qytetarëve të Lezhës, të këtij qarku, nga Kumbulla dhe Mërkurthi gjer në Shëngjin, nga Torovica gjer në Fushë Krujë. Mbështetja juaj ka qenë dhe mbetet për ne detyrimi më i madh dhe u garantoj se do bëjmë gjithçka për ta shpërblyer me mirënjohje këtë mbështetje”.
“Një nderim të madh për ju që e shndërruat këtë pranverë në një dimër të thellë për Edi Ramën. Që ia shuat shpresat dhe e bëtë të presë me tmerr dhe panik 11 Majin si ditën e ndëshkimit të tij shembullor, të merituar”.
“Miq, Lezha më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytin e të gjitha virtyteve. Simbolizon bashkimin. Ndaj dhe këtu nga Lezha u bëj thirrje shqiptarëve të të gjitha bindjeve politike, le të bashkohemi me 11 Maj për të transformuar Shqipërinë në 11 ditë. Dhe unë u jap fjalën ju se pas 100 ditësh, kjo Lezhë, kjo Shqipëri do jetë tjetër. Në qoftë se dal sot para jush, në qoftë se vij sot për të mbyllur fushatën elektorale me ju, nuk vij për karrigen time. Jo, vij për një mision. Të transformojmë së bashku Lezhën dhe Shqipërinë”.
“Vij për një mision që në 100 ditë të përzëmë nga vatrat tona mjerimin e skajshëm që e mbolli Edi Rama me grupin e hajnave të tij. Në 100 ditë, çdo pensionist që merr sot nën 172 mijë lekë, dhe të tillë sot janë 560 mijë burra dhe gra, do marrë secili jo më pak se 200 euro. Në 100 ditë, çdo qytetar nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro. Në çdo pensionist dhe rrogë ulët do ketë kartën e konsumatorit. Do blejë të gjithë gjërat bazë 20 për qind më lirë se të tjerët”.
“Në 100 ditë, energjinë elektrike do e paguani me 7 lekë kilovati. Në 100 ditë, shqiptarët do kenë listën e barnave të rimbursuara 100 për qind që ka republika italiane. Në 100 ditë, nafta do shitet me çmimin e njëjtë me Kosovën dhe Maqedoninë, pra 40 për qind më lirë. Duam 100 ditë nga ju sepse do jenë 100 ditët tuaja, do jenë 100 ditë të ndryshimeve të mëdha. Çdo biznesmen i vogël do blejë energjinë me 6 lekë kilovati dhe jo 18. Çdo biznesmen i vogël do paguaj hapësirën publike një të pestën e asaj që paguan sot. Do paguajë tarifën e ujit sa gjysmën e asaj që paguan sot”.
“Pra a nuk përbën kjo një ndryshim të madh për çdo biznesmen? Çdo biznesmen i mesëm apo i madh, tatim fitimin nga 23 për qind do e ketë 10 për qind. Të gjithë rrogëtarët me rroga mbi 500 euro do kenë një rritje imediate rroge prej 13 për qind. TVSH-ja do ulet në 15 për qind”.
“Miqtë e mi, jo më pak do përfitojnë fermerët e Lezhës dhe të Shqipërisë. Sot tregjet janë të mbushura me importe sepse janë hapur doganat me Ballkanin e Hapur. Akti i parë, Ballkani i Hapur në kosh të plehrave”.
“Çdo biznesmen do ketë subvencione për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi, të barabarta me fermerin në Maqedoni, Serbi dhe vende të tjera. Sa janë ato? Pesë herë më shumë”.
“Pra në qoftë se fermeri i Lezhës subvencionohet as 10 për qind të shpenzimeve, fermeri i Kosovës subvencionohet 70 për qind të shpenzimeve. Po më thoni ju mua, kush është më e pasur, Shqipëria apo Kosova?”
“Prandaj në 100 ditë ne bëjmë ndryshimin e madh. Bashkohuni në një besëlidhje për të votuar mirëqenien tuaj. Garantoj të gjithë fermerët se prodhimet e tyre do mbrohen në çdo sezon. Garantoj eksportuesit dhe prodhuesit se do mbështeten fuqimisht nga qeveria. Mijëra ndërmarrje dhe ferma kanë falimentuar. Eksporti është përtokë për shkak të rënies së euros”.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.