Edicioni i 14-të i bienales nomade Manifesta do të mbahet këtë vit në Prishtinë.
Sipas drejtoreshës së kësaj bienale, Hedwig Fijen, krahas ndikimit në art dhe kulturë, Manifesta ka një efekt edhe në ekonominë e shteteve nikoqire, njofton Klankosova.tv.
“Në çdo Manifestë ne kemi bërë një anketë publike gjatë bienales, ku i pyesim vizitorët se a u ka pëlqyer kjo bienale, çfarë kanë mësuar, sa para i kanë shpenzuar, a kanë blerë ndonjë gjë, veçanërisht të huajt, sa para i kanë harxhuar gjatë qëndrimit të Kosovë dhe e llogarisim atë që quhet kthim i investimit, sa para kanë hyrë në shtet krahasuar me investimin që është bërë dhe për shembull në Palermo, investimet e komunës janë kthyer për dyfish e gjysmë përmes taksave, në Cyrih janë kthyer trefish, në Belgjikë, ku kemi organizuar Manifestë, janë kthyer katërfish, pra ka një mënyrë shumë transparente dhe ne e analizojmë këtë jo vetëm në Prishtinë, por në çdo Manifestë që e organizojmë, a ka bërë Manifesta atë që ka premtuar se do të bëjë dhe e bëjmë këtë me një organizatë të jashtme,” tha Fijen.
Fijen, në “Rubikon” tha se ky edicion i bienales që mbahet në Prishtinë e ka përqindjen më të lartë të financimit ndërkombëtar krahasuar me çdo Manifestë tjetër të organizuar deri tani.
“Kur qyteti i Prishtinës ka bërë ofertë, komuna e Prishtinës e ka garantuar buxhetin dhe ata e kanë gjetur një partner të mirë në Ministrinë e Kulturës dhe ndërkohë ne kemi arritur të alokojmë 30 për qind të buxhetit nga burime ndërkombëtare, pra Komisioni Evropian paguan gjysmë milioni euro, ka disa organizata filantropike që po paguajnë dhe më shumë se dhjetë ambasada të huaja janë duke dhënë fondacione substanciale, pra kjo është pjesëmarrja më e lartë e financimit ndërkombëtar krahasuar me çdo Manifestë tjetër që kemi organizuar deri tani dhe jam 100 për qind e sigurt që nuk keni mbaruar,” tha Fijen.
Manifesta mbahet nga data 22 korrik deri më 30 tetor të këtij viti dhe përfshin një varg aktivitetesh si ekspozita të artit, publikime dhe intervenime në disa hapësira publike.
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.