Kombëtarja e Boksit të Kosovës, do të marrë pjesë në turneun e 13-të “Hakija Turajliq – Talijan” në Sarajevë që do të mbahet në datat 19 -20 shtator, ka bërë të ditur Federata e Boksit të Kosovës.
Ekipi kosovar i boksierëve përbëhet nga Violand Sylejmani, Nikoll Rraci, Arian Gashi dhe Fisnik Muharremi.
“Boksierët tanë janë të përgatitur maksimalisht për këtë turne ku marrin pjesë 10 shtete dhe besojmë se do të arrijnë të korrin sukses dhe të sjellin medalje nga ky turne ndërkombëtar ku konkurrenca do të jetë shumë e fortë por besojmë se djelmoshat tonë do të ngadhënjejnë si viteve të mëparshme ku nga ky turne kemi sjellë medalje të arta dhe trofe”, ka deklaruar FBK.
●●●
DLSHKRIMI NGA
Donika Lamaxhema
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.