Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka folur për pritjet që i ka nga takimi i Ohrit mes Kosovës e Serbisë.
Të shtunën e 18 marsit, Borrelli bashkë me emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak, në qytetin e Maqedonisë së Veriut, thirri në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim do flitet për plan-zbatimin e propozimit evropian për ujdi bazë mes dy vendeve, i cili si dokument u miratua i pandryshuar në takimin e Brukselit më 27 shkurt.
“Një gjë është marrëveshja, e tjetër është se kur dhe si do të zbatohet. Ka pasur marrëveshje në të kaluarën që kurrë nuk janë zbatuar. Nuk mund të ndodhë sërish e njëjta gjë. Ne aktualisht jemi duke punuar, jo në marrëveshjen vetë që është dakorduar tashmë, por në zbatimin e saj. Dhe ky zbatim është një aneks, i cili është plotësisht pjesë e brendshme e vetë ujdisë”, tha Borrelli në një konferencë të përbashkët që e mbajti me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në Tiranë.
Diplomati spanjoll, shtoi se aneksi si plan-zbatim ka të bëjë me atë që të dyja palët ta kuptojnë atë njëjtë, bashkë me afatet kohore e modalitetet, pra kur dhe si të zbatohet ujdia.
“Kur të miratohet kjo do të jetë një marrëveshje që do të çoj marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë në një bazë të re e më të qëndrueshme. Duke siguruar se dialogu do të vazhdoj me një trajektore drejt normalizimit-gjithëpërfshirës në vend të menaxhimit konstant të krizave”, tha i pari i diplomacisë evropiane.
Nga ana e tij, kryeministri i Shqipërisë tha fjalë të mëdha për propozimin evropian.
“Ne e shohim me admirim përpjekjen tuaj për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë, dokumenti i normalizimit i paraqitur prej jush është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Rama.
Këto komente Borrelli e Rama i bënë pas takimit që e patën në kuadër të Komitetit të përbashkët për Stabilizim-Asociim, Shqipëri-Bashkim Evropian.
Mysafirët nga Brukseli, që pos Borrellit ishte dhe komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, kanë përgëzuar Shqipërinë për reformat që është duke i bërë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/tK6IRy65K4k
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.