Kosova është për herë të parë nikoqire e një ngjarjeje të këtillë, e cila shënon njëherësh edhe kampionatin e parë zyrtar të zhvilluar në këtë nivel garash në katër disiplina, duke përfshirë U18 për junior, U15 për kadetë në kategoritë e femrave dhe meshkujve, lojërat ekipore dhe ato vetjake.
Në këtë kampionat po marrin pjesë 80 pingpongistë nga 5 shtete të Ballkanit - Kosova, Shqipëria, Turqia, Mali i Zi dhe Bullgaria.
"Ish-kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut (ITTF), dhe tani udhëheqës dhe kryetar nderi në ITTF, ka përgëzuar Federatën e Pingpongut të Kosovës (FPPK) për organizimin e Kampionatit Ballkanik. Gjithashtu, z. Sharara e ka njoftuar kryetarin e FPPK-së, Nehat Çitakun, se, në të ardhmen, Kosova mund të jetë nikoqire e ndonjë kampionati të nivelit më të lartë ndërkombëtar, duke përfshirë kampionatin botëror", thuhet në komunikatën e Federatës së Pingpongut të Kosovës.
Federata e Pingpongut të Kosovës është federata e parë kosovare e pranuar ndërkombëtarisht, me te drejta të plota, më 2003.
●●●
AFSHKRIMI NGA
Arbër Fetahu
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.