Banka Qendrore e Kosovës, ka mirëpritur raportin e Komisionit Evropian për vitin 2022 sa i përket qëndrueshmërisë së sistemit financiar.
Sipas BQK-së, ky raport njeh masat e ndërmarra nga ta për rritjen e vazhdueshme financiare, ku thuhet se në gjysmën e parë të këtij viti, kreditë shënuan rritje prej 17 për qind.
“Rritja e kredive u lehtësua nga normat e ulëta të interesit, rritja e vazhdueshme e depozitave, përmirësimi i zbatimit të kontratave dhe rritja e garancive të dhëna nga Fondi Kosovar për Garanci të Kredive (FKGK) për kreditimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për të zbutur ndikimin e krizës. Gjithashtu, norma mesatare e kredive joperformuese në gjysmën e parë të vitit 2022, ishte 2.1% dhe kjo përqindje u mbajt falë rritjes së lartë të kredive”.
“Kosova sipas raportit, në mënyrë të moderuar është e përgatitur në fushën e shërbimeve financiare. Gjithashtu, Raporti vlerëson progresin edhe në adresimin e çështjes së automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara”, thuhet në njoftimin e BQK-së, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në njoftim thuhet se sa i përket sigurimeve dhe pensioneve, BQK-ja duhet të rritë rolin mbikëqyrës në industrinë e sigurimeve.
“Komisioni Evropian ka sugjeruar që vitin e ardhshëm të harmonizohet më tej korniza ligjore e Kosovës me Direktivën e BE-së për Shërbimet e Pagesave 2, rritjen e përpjekjeve për të luftuar krimin ekonomik dhe financiar, si dhe përafrimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit me aktet (aquis) të BE-së, pastaj forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar”, thuhet në njoftimin e BQK-së, transmeton Klankosova.tv.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek ekonomi dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.