Lajmet e fundit

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer ka dënuar protestat pro-palestineze që po mbahen sot, në përvjetorin e dytë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke i cilësuar ato si “të padenja për britanikët”.
Në një opinion për The Times, Starmer tha se këto tubime tregojnë mungesë respekti ndaj viktimave dhe shfrytëzohen nga disa si pretekst për të përhapur antisemitizëm.
Ai përmendi edhe sulmin e javës së kaluar ndaj një sinagoge në Manchester, ku humbën jetën dy persona, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv.
Qeveria ka kritikuar ashpër edhe protestën e fundjavës së kaluar në mbështetje të grupit të ndaluar Palestine Action, ku u arrestuan rreth 500 persona. Policia është pajisur me kompetenca të reja për të kontrolluar protestat e përsëritura.
Starmer tha se sulmi i 7 tetorit, ku u vranë mbi 1,200 persona dhe 251 të tjerë u rrëmbyen nga Hamasi, ishte “më i rëndi ndaj hebrenjve që nga Holokausti”.
Ai theksoi prioritetet e qeverisë britanike: lirimi i pengjeve, shtimi i ndihmës për Gazën dhe një armëpushim që çon drejt paqes dhe zgjidhjes me dy shtete. Po ashtu, përshëndeti përpjekjet e SHBA për një marrëveshje paqeje.
Ndërkohë, udhëheqës politikë si Kemi Badenoch dhe Sir Ed Davey dënuan antisemitizmin dhe kërkuan fundin e dhunës dhe lirimin e menjëhershëm të pengjeve.