Një grup partnerësh ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit do të bashkojnë forcat për të goditur disa nga trafikantët më të rrezikshëm të drogës në botë.
Agjencia Kombëtare britanike e Krimit (NCA), bashkë me partnerë nga Ballkani Perëndimor dhe vende të tjera ndërkombëtare, do të punojnë në një grup të ri për të luftuar grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor, që kontrabandojnë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës, duke shkaktuar dëme të mëdha përgjatë gjithë itinerarit të trafikut, raporton Klankosova.tv.
Njoftimi vjen nga NCA në prag të Samitit të përvitshëm të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Londër.
Samiti mbledh liderë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë nga Evropa, me qëllim forcimin e stabilitetit dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Sipas njoftimit, në mars, NCA do të organizojë grupin e ri operacional, i cili do të forcojë bashkëpunimin, do të ndajë të dhëna të inteligjencës dhe do të përcaktojë një listë me objektiva të rëndësishëm nga Ballkani Perëndimor për t’u ndjekur.
Zëvendësdrejtoresha e NCA-së, Kate Appleby, tha se grupi do të bashkojë disa nga ekspertët më të mirë në botë dhe do të përqendrojë përpjekjet në goditjen e grupeve të krimit të organizuar që merren me furnizimin e kokainës nga burimi deri në rrugë.
“Për shkak të ndikimit të tyre në tregun global të kokainës, grupet nga Ballkani Perëndimor përbëjnë kërcënim jo vetëm për Evropën, por edhe për vendet e Amerikës së Jugut, ku gjakderdhja dhe vrasjet janë të pandashme nga prodhimi dhe trafiku i kokainës”.
“NCA do të përdorë rrjetin e saj global dhe ekspertizën, në bashkëpunim me partnerët e samitit, për të rënë dakord mbi një qasje të përbashkët ndaj rrjeteve dhe individëve që përbëjnë kërcënimin më të madh për të gjitha vendet anëtare”, u tha në njoftim.
Edhe pse trafiku dhe përdorimi i kokainës në Ballkanin Perëndimor mbetet më i ulët se në shumë vende të tjera të Evropës Perëndimore, këto grupe kriminale kanë krijuar një prani të fortë në burim – në Amerikën Latine – si dhe përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, përfshirë Karaibet, Afrikën Perëndimore dhe portet kryesore evropiane.
NCA thotë se nga aktorë dytësorë në tregun evropian, këto grupe janë shndërruar në rrjete të fuqishme ndërkombëtare me një model të qëndrueshëm veprimi, duke ndërtuar lidhje të forta në të dy skajet e zinxhirit fitimprurës të furnizimit. Ato kanë përfituar nga prodhimi rekord i kokainës në Amerikën e Jugut dhe kërkesa e pangopur në Evropë.
Gjatë dy viteve të fundit, bashkëpunimi me partnerët e samitit, si dhe me vendet e Amerikës së Jugut dhe Bashkimin Evropian, NCA thotë se ka çuar në arrestimin e një numri të madh kriminelësh të rrezikshëm dhe në shkatërrimin e disa grupeve të krimit të organizuar.
Thuhet se Britania e Madhe ka një nga nivelet më të larta të përdorimit të kokainës në botë, me mbi 1,000 vdekje në vit.
Njoftimi thotë se luftimi i furnizimit të paligjshëm me drogë është thelbësor për ta bërë më të sigurt jetën në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar, “pasi përdorimi dhe vdekjet nga droga janë në rritje, dhe asnjëherë nuk ka qenë më e rrezikshme sesa sot marrja e substancave të paligjshme”.
“Për më tepër, tregtia e drogës, ‘luftërat për territore’, borxhet kriminale dhe hasmëritë janë ndër shtytësit kryesorë të dhunës së rëndë me armë zjarri. Disa nga këto konflikte janë të vjetra dhe shpesh përshkallëzohen, duke përfshirë tragjikisht edhe qytetarë të pafajshëm në përplasjet e tyre”, u tha në njoftimin e NCA-së.
Ndërkaq, burime të TopChannel nga operacioni bëjnë me dije se Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi janë përfshirë në hetime, si pika kyçe në rrugën ballkanike të drogës. Strukturat e përfshira dyshohet se menaxhojnë transportin përmes porteve në Adriatik dhe Mesdhe, duke përdorur kompani fiktive për të fshehur ngarkesat me drogë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.