Hamasi, grupi që kontrollon Gazën, i është përgjigjur planit 20-pikësh të Trumpit për të ardhmen e Rripit të Gazës.
Deklaratat e së shtunës nuk çojnë në një marrëveshje të plotë, por Hamasi ka pranuar disa nga elementët thelbësorë që vendet perëndimore dhe të Lindjes së Mesme i shohin si të nevojshëm për t'i dhënë fund luftës.
Pikat për të cilat ata bien dakord:
Hamasi pranoi të lirojë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, vetëm disa orë pasi Presidenti i ShBA-së Donald Trump u dha atyre një afat deri në orën 12:00 (sipas kohës lokale të Kosovës) të dielën për të pranuar planin e tij të paqes për Gazën.
Gjithashtu tha se "rinovon marrëveshjen e saj për t'ia dorëzuar administrimin e Rripit të Gazës një organi palestinez të pavarurish (teknokratësh), bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe mbështetjen arabe dhe islamike".
Por Hamasi dëshiron negociata të mëtejshme mbi këto pika:
Grupi nuk përmendi çarmatimin në deklaratën e tyre.
Gjithashtu nuk pranoi të mos luante më rol në qeverisjen e Gazës.
Është e paqartë nëse Trump do të pranojë rinegocimin e këtyre çështjeve, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.