Tre burra irakianë po vënë në provë aftësinë e tyre, duke lëvizur me biçikletë nga porta kufitare e Irakut me Arabinë Saudite, në qytete të ndryshme në vendin fqinj, shkruan AP, transmeton Klan Kosova.
Udhëtimi i tyre i gjatë 45-ditor do të përfshijë një ndalesë në Mekë, ku ata duan të kryejnë pelegrinazhin e umres.
“Së pari po e kryejmë këtë udhëtim për të kryer umren (haxhin), Zoti e pranoftë”, tha Shaban Shawkat, njëri nga çiklistët. "Së dyti, ne duam të dërgojmë një mesazh ndërgjegjësues për ngasjen e biçikletave", shtoi ai.
Tre burrat janë pjesë e një grupi të quajtur "Two Wheels" (Dy Rrota), i cili po promovon çiklizmin për të ndihmuar në mbrojtjen e mjedisit nga ndotjet e makinave.
Për arsye sigurie, çiklistët do të udhëtojnë brenda Irakut me autobus derisa të arrijnë në portën kufitare Arar, ku do të fillojë udhëtimi i tyre me biçikletë.
Pasi të arrijnë në kufirin saudit, ata do të ngasin biçikletat e tyre për në Jadida, Hail, Jeddah, Medine dhe Mekë, para se të kthehen sërish prapa.
Shawkat shpreson që pamja e tre çiklistëve që udhëtojnë në vend do të tërheqë ndërveprime nga vendasit dhe do të çojë në një shkëmbim kulturor.
Udhëtimi po organizohet me ndihmën e një kompanie udhëtimi në Mosul, e cila mori viza për udhëtarët dhe plotësoi të gjitha dokumentet e tyre në Irak.
"Ne arritëm në përfundimin se projekti "Two Wheels" (Dy Rrota) mund të udhëtojë dhe të bëjë turne në vendet fqinje me Irakun", tha Bilal Ibrahim, një tjetër nga çiklistët që merr pjesë në udhëtim.
“Por gjëja më e rëndësishme për ne, është kryerja e ritualit të umres në Arabinë Saudite”, shtoi ai.
Ndryshe nga pelegrinazhi i haxhit, i cili bëhet një herë në vit dhe kërkohet për të gjithë myslimanët që janë në gjendje ta ndërmarrin, haxhi i vogël i umres mund të kryhet gjatë gjithë vitit.
Para pandemisë, gati 20 milionë myslimanë bënin pelegrinazhin e umres çdo vit, duke përfshirë më shumë se shtatë milionë udhëtarë të huaj.
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek të tjera dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.