Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Me këtë veprim përmbyllen procedurat vendimmarrëse në institucionet e Bashkimit Evropian, për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.
Miratimi në PE u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
Të mërkurën pritet nënshkrimi si akt ligjor i heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës për në Zonën Schengen.
Akti ligjor pritet të nënshkruhet nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe ministrja për Evropën e Suedisë, Jessika Roswall, vendi i së cilës kryeson aktualisht Këshillin e BE-së.
E nga ana e Kosovës, siç njoftoi qeveria, do marrë pjesë zëvendëskryeministri i parë përgjegjës për integrimet, Besnik Bislimi.
Pas kësaj vendimi publikohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Shtetasit e Kosovës do kenë të drejtë të udhëtojnë për në Schengen më së voni e me patjetër nga 1 janari 2024.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, urime. Më në fund votuam liberalizimin e vizave për ju që është dashur të prisni për aq gjatë, gjë që ishte shumë e padrejtë dhe e pa arsyeshme, sepse keni përmbushur krejt kriteret. Sidoqoftë, më në fund ia dolëm. Tani ju mund të shkoni në Gjermani, Austri. Ju mund të shkoni te farefisi e miqtë që I keni atje. Kjo më bënë mua e juve shumë më të lumtur. Urime, kjo përfundoi”, tha nëpërmjet një videomesazhi të publikuar pas miratimit, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Nga ana e tij eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, që ishte raportues për liberalizimin të martën në seancë plenare, e quajti historike ngjarjen që u zhvillua në Strasburg.
“Kjo është ditë e madhe për Kosovën, për rajonin, dhe për Bashkimin Evropian. Më në fund ne e përmbushëm premtimin e tej zgjatur sepse Kosova po përmbushte gjitha kriteret. Me rëndësi tani është që të ecim përpara e të zbatojmë detyra tjera, duke sjellë Kosovën më afër anëtarësimit në BE. Si dhe duke punuar në reforma tjera e zbatim të ujdisë për normalizim”, tha Reuten, ekskluzivisht për Klan Kosova.
Në janar të vitit 2012, Kosova nisi negociatat për liberalizim me Brukselin zyrtar.
Prishtina zyrtare ka përmbushur 95 kritere, që është gati dyfishi i kritereve të kërkuara për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor që e kanë udhëtimin pa viza në Zonën Schengen tash e 10 vjet.
https://www.youtube.com/watch?v=zQzevYWuo9I
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
klankosova.tv
●●●
HSHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.