Komuna e Prishtinë do ta organizojë sot aktivitetin më të ri kulturor për qytetarët e saj të cilën e ka quajtur Festa e Deklaratës së Kushtetutshmërisë e që përkon me ngjarjen historike të Deklaratës së Kushtetueses së 2 Korrikut.
I organizuar në kuadër të manifestimit “Prishtina e përjetimeve”, që për synim kanë të shënojnë datat e rëndësishme përmes muzikës dhe promovimin e tyre te gjeneratat e reja, të cilat mund të dinë më pak rreth tyre.
Këshilltari komunal nga radhët e LDK-së, që është pjesë e organizimit, Pëllumb Bajqinovci ka thënë se aktiviteti i sotëm do të mbahet në rrugën “2 Korriku”, e njohur gjerësisht si “kafet e rakisë”, me orkestrën “2 Korriku”, duke filluar nga ora 18:00.
“Dita e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës do të festohet më ndryshe këtë edicion, kemi përzgjedhur rrugën e cila mban emrin e kësaj date historike, kemi përzgjedh datën edhe bendin... Mendoj se ky promovim që i bëhet festave tona me rëndësi të madhe historike dhe me promovimin te gjeneratat e reja të cilat këtë datë e kanë harruar, përmes muzikës, edhe përmes këtij manifestimi do ta bëjë më të mirë... Në këtë manifestim janë të përfshira të gjitha lokalet e gastronomisë pranë rrugës ‘2 Korriku”’, theksoi Bajqinovci.
Bajqinovci tha se synojnë që kjo festë të bëhet tradicionale. Ai ka thëne së festivalet, që janë mbajtur në shesh, janë duke tentuar t’i realizojnë në pjesët më periferike të kryeqytetit.
“Kjo qeverisje ka filluar me premtimet të cilat kryetari Rama i ka bërë me herët dhe me krijimin, instalimin e festivaleve të cilat kanë domethënie dhe do të kenë vazhdimësi pastaj në edicionet që do të vijnë. Festivalet të cilat i kemi mbajtur në shesh, jemi duke tentuar t’i dislokojmë në pjesë të tjera periferike të qytetit, ku interferenca me pjesën e gastronomisë dhe atë konkurrencën që e kanë mes veti do ta zvogëlojnë”, ka shtuar Bajqinofci.
Në ora 18:00 do të ketë Dj performancë, pastaj do t’i lihet hapësira Gillespie Prishtina prej orës 19:45, ndërsa në ora 20:45 do të performojë orkestra “2 Korriku”.
Ndryshe, sot mbushen 32 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut. Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky aktivitet i Komunës së Prishtinës është i vetmi i paralajmëruar për të nderuar këtë datë./KP
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.