Lajmet e fundit

"Kupa e Botës", është trofeu më i rëndësishëm në botën e futbollit dhe u jepet vetëm kombëtareve që e fitojnë garën që mbahet çdo 4 vjet.
Por presidenti amerikan Donald Trump nuk e fsheh dëshirën që, qoftë edhe përkohësisht, ta ketë në pronësi këtë kupë. Dhe këtë dëshirë ia shpreh njeriut të parë të këtij sporti, Gjanit Infantino, duke i thënë se do t’i rrinte mirë në Zyrën Ovale.
Kupa ka gjasë të rrijë në këtë dhomë deri në fillimin e Botërorit të Futbollit, bashkënikoqirët e të cilit në verën e ardhshme do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, ajo do të bëhet vetëm një nga dhjetëra trofetë, vazot dhe ornamentet që kanë zënë vend në Shtëpinë e Bardhë që nga rikthimi i republikanit në pushtet.
E kjo, sidomos në Zyrën Ovale, ku presidenti amerikan merr vendimet më të rëndësishme dhe pret mysafirët më me peshë.
Është e freskët pamja nga momenti kur u prit nga parardhësi, Xho Bajden, dhe kur në zyrë kishte shumë pak zbukurime.
Por tani, në kohën e afaristit miliarder, ata që i shkojnë mysafirë e gjejnë një dhomë plot portrete, flamuj e dekorime prej ari, por edhe me portretet e tij si superheroi.
Për më tepër, Trump me paratë e veta po nis edhe një projekt që do t’i rrisë përmasat dhe funksionet e Shtëpisë së Bardhë. Nga 1 shtatori fillon ndërtimi i Dhomës së Ballove, si hapësirë për 650 veta, pjesë kjo reprezentative për organizimin e eventeve të mëdha.
Në frymën e identifikimit me të, Trump ka hapur në Shtëpinë e Bardhë edhe një kënd suveniresh me sloganin “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, i njohur edhe me shkurtesën MAGA.
Së fundi, në këtë hapësirë ai ka pritur disa nga liderët evropianë që i erdhën mysafirë, bashkë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
E para tyre ishte edhe presidenti i Azerbajxhanit, të cilit ia bëri me dije se ka kapelë dedikuar edhe një mandati tjetër.
Ndërkohë, gjatë paraqitjes së së premtes, Trump u shfaq me kapuçin që kishte mbishkrimin: “Trump kishte të drejtë për gjithçka”. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=DeiU5N-RxfM