Etnomuzikologu Behar Arllati ka reaguar nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, pas djegies së Muzeut të Muzikës në Gjakovë gjatë ditës së sotme.
Arllati thotë se ky muze ishte krijuar nga vetë ai nën mbështetjen e profesorit Meriton Ferizi, sa ishte drejtor për Kulturë në komunën e Gjakovës.
“Ma dogjën krijesën time. Barbarët s’u ndalën. E thyen, e vodhën e plaçkitën gjithçka kishte brenda, e tjetërsuan si objekt, ia hoqën shkallët që të mos kishte mundësi të ngjitej lart njeri dhe më në fund e dogjën barbarët, e dogjën gjakovarët që dinë veç të rrahin gjoks pa bërë gjë, e dogjën krijesën që me aq mund e krijova nën mbështetjen e Prof. Meriton Ferizi sa ishte drejtor komunal për Kulturë”, shkroi Arllati në Facebook.
Sipas tij, objekti u revitalizua në vitin 2012, ndërsa me 2014 projekti u kthye në Muze të Muzikës.
Mllefi i tij për shkatërrimin e këtij objekti është aq i madh sa që thotë se “kjo barbari tejkaloi çdo barbari serbe”.
“E furnizuam me ish-nxënësin tim Meritonin, shembull të profesionistit, me tekste, libra të vjetër, fotografi të rralla të vjetra, instrumente lloj-lloj të vjetra, partitura, shirita të vjetër manjetofoni, kaseta të dikurshme me shirita, instrumente muzikore të dëmtuara gjatë luftës së vitit 1999 që tregonin barbaritë serbe por kjo barbari tejkaloi çdo barbari të serbëve”.
“Kjo barbari e kafshëri e bërë nga ne, flet qartë se ne jemi larg civilizimit evropian, madje edhe larg mënyrës fisnore të jetesës afrikane. Ky akt flet se ne s'e duam vetveten, se ne s'e durojmë suksesin e Beharit e Meritonit apo të tjerëve sepse ka penguar dikë që të përfitojë, se ne jemi armiq të vetes tonë”, tha Arllati, raporton Klankosova.tv.
Pati kritika si për qeverisjen e Mimoza Kusarit, ashtu edhe për këtë aktualen, të Ardian Gjinit, të cilët thotë se “s'qenë në gjendje të ndajnë dy-tre paga si mbikëqyrje të Muzeut. Turpi s'hahet me bukë përveç se në Gjakovë. Kriminelët s'do t'i mbulojë dheu. Ma dogjët krijesën o të poshtër”.
“Turp e faqja e zezë e turpi ju mbuloftë o barbarë”, tha Arllati në këtë reagim. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.