Faton Mehmetaj ka realizuar dokumentarin “Flamurtarët e Deçanit 1912”, i cili shpalos historinë kombëtare të patriotëve të shquar ku mundësuan që Deçani dhe Rrafshi i Dukagjinit të ishin pjesë e pandarë e përpjekjeve për çlirimin e trojeve.
Lidhur me këtë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ky dokumentar sjell në pah histori të pasur përkushtimi e heroizmi, duke vënë në qendër patriotizmin dhe kontributin e paharruar të Deçanit për çështjen kombëtare, transmeton Klankosova.tv.
“Secila etapë e historisë sonë kombëtare mbart në vetvete lavdinë e veprimeve të patriotëve që siguruan që Deçani dhe i gjithë Rrafshi i Dukagjinit të ishin pjesë e pandarë e përpjekjeve për çlirimin e trojeve. Kjo traditë e atdhedashurisë u bart brez pas brezi, duke frymëzuar lëvizjet për liri dhe pavarësi në Kosovë. Për të shpalosur këtë trashëgimi, dokumentari “Flamurtarët e Deçanit 1912”, me autor Faton Mehmetaj, ndriçon lavdinë dhe sakrificat e shumë burrave dhe familjeve deçanase që luajtën një rol aktiv në mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi dhe realizimin e qëllimit kombëtar: pavarësinë e Shqipërisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Ky dokumentar sjell në pah një histori të pasur përkushtimi e heroizmi, duke vënë në qendër patriotizmin dhe kontributin e paharruar të Deçanit për çështjen kombëtare. Falënderime të veçanta autorit Faton Mehmetaj për këtë vepër të çmuar dhe të gjithë mbështetësve që mundësuan realizimin e këtij dokumentari”.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.