Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, pavarësisht se mandati i komisionit aktual është i vlefshëm deri më 15 dhjetor të 2026-ës.
Sipas Gërvallës, ky vendim është marrë si nevojë urgjente pas një numri të madh ankesash dhe mangësive të evidentuara gjatë mandatit të komisionit aktual, përfshirë mungesën e konsistencës në vlerësim, zbatim jo të unifikuar të programit dhe mungesë transparence në arsyetimin e rezultateve. Propozimi u miratua unanimisht nga kabineti qeveritar, raporton Kiks Kosova.
Megjithatë, ky vendim ka nxitur reagime të forta nga opozita, e cila kërkoi që çështja të mos futet fare në rend dite në Kuvend.
Deputetët opozitarë e cilësuan vendimin si të paarsyetuar, madje duke e krahasuar me praktika diktatoriale, dhe insistuan se për vendime që prekin të drejtat e individëve kërkohet arsyetim i detajuar dhe individual.
Ata gjithashtu ngritën dyshime se ndryshimi i komisionit mund të jetë bërë për arsye të tjera, përfshirë dështimin e kandidatëve të caktuar për ta kaluar provimin.
Në anën tjetër, përfaqësues të pushtetit argumentuan se ndryshimi është i arsyeshëm për shkak të dështimit për organizimin e provimit për një periudhë njëvjeçare. Megjithatë, sipas Ligjit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, organizimi i këtij provimi është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, e cila obligohet ta mbajë atë tri herë në vit. Provimi i fundit është mbajtur në prill 2025, ndërsa gjatë vitit 2026 nuk është organizuar asnjë afat dhe nuk është publikuar kalendari, duke shkelur edhe Udhëzimin Administrativ në fuqi.
Kjo situatë ka prekur drejtpërdrejt një numër të madh kandidatësh. Vetëm në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, gjatë viteve 2023-2025 kanë diplomuar mbi 1 mijë e 600 studentë në nivelin bachelor dhe master, ndërsa në afatin e fundit të provimit kanë marrë pjesë 620 kandidatë, prej të cilëve vetëm 76 e kanë kaluar.
Kundër këtij vendimi është edhe kryesuesi i komisionit aktual, i cili e konsideron vendimin e Qeverisë të kundërligjshëm, duke theksuar se ligji nuk parasheh shkarkimin e komisionit para përfundimit të mandatit. Sipas tij, arsyeja reale e zëvendësimit lidhet me refuzimin e komisionit për të ulur kriteret e vlerësimit, pavarësisht presioneve që pretendon se kanë pasur nga Ministria.
Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar vendimin si të kundërligjshëm dhe arbitrar, duke theksuar se ndërprerja e mandatit të komisionit nuk ka bazë ligjore dhe cenon sigurinë juridike. Ky institut ka ngritur shqetësime edhe për konflikt të mundshëm interesi lidhur me emërimet e reja dhe i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos e votojë propozimin e emrave të rinj.
Ndërkohë, Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar duke kërkuar që procesi i Jurisprudencës të mbetet i depolitizuar, profesional dhe transparent. Në reagimin e kësaj ode thuhet se mosmarrëveshjet institucionale nuk duhet të dëmtojnë kandidatët dhe se çdo devijim nga standardet ligjore cenon besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Në vijim ndiqni kronikat e përgatitur nga Kiks Kosova rreth kësaj teme:
https://youtu.be/PgPFZ9ozKRM
https://www.youtube.com/watch?v=356uLw8Qizc
https://youtu.be/f3A4eS6gvYc
https://youtu.be/lDvaTtKFNM8
●●●
DMSHKRIMI NGA
Donjeta Murselaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.