Shqipëria mirëpriti konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Kjo konferencë u mbajt në Vlorë, dhe i pranishëm ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili vuri theksin te drejtësia e re, transmeton Klankosova.tv.
"Unë, si President i Republikës, kam mbështetur dhe do të vazhdoj të mbështes reformën në drejtësi, pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë dhe përpjekjet e tyre në mbrojtje të të drejtave të individit dhe interesit publik, në dhënien fund të fenomenit të pandëshkueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mbështes rezultatet e deritanishme të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykatës përkatëse kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Këto rezultate iu kanë dhënë atyre statusin e institucionit me besimin më të lartë publik në vend.
Unë mbështes të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që të vijojnë punën me profesionalizëm, me pavarësi dhe integritet të plotë.
Shqipëria është duke ndërmarrë hapa të shpejtë dhe vendimtarë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Procesi i harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së kërkon angazhimin maksimal dhe të trupës gjyqësore.
Gjyqtari nuk është thjesht zbatues i ligjit, por një aktor aktiv në përafrimin e standardeve juridike të vendit tonë me ato të BE-së nëpërmjet jurisprudencës.
Garantimi i procesit të rregullt ligjor, rritja e kapaciteteve profesionale dhe interpretimi i normave në përputhje me parimet themelore të BE-së, janë thelbësore për një proces integrimi të suksesshëm.
Jam besimplotë se kjo konferencë do të shërbejë si një mundësi e mirë për të bashkëndarë eksperiencat tuaja, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të forcuar bashkëpunimin nëpërmjet nesh.
Përvoja e vendeve tuaja dhe mësimet e nxjerra mund të shërbejnë si model për përmirësime të mëtejshme në sistemin e drejtësisë si dhe modele për rritjen e besimit të publikut, transparencës, si dhe aksesit të publikut në drejtësi.
Shpreh bindjen dhe shpresën se së bashku do të mund të ndërtojmë një sistem drejtësie më të pavarur, më profesional, më efikas dhe më pranë qytetarëve tanë".
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.