Jo rrallëherë estrada çon pluhur në tema të ndryshme, duke i kujtuar njëri-tjetrit skandalet dhe të pathënat që i dinë për njëri-tjetrin, porse zakonisht përfundojnë aty ku edhe nisin – akuza dhe kundërakuza, statuse në rrjete sociale.
Kthim bëri debati mes Dafina Zeqirit dhe ish-menaxherit të BABASTARS, Drin Zatriqi, i cili duket se është nisur kah Gjykata Themelore në Prishtinë.
Zatriqi, i cili tash e sa kohë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ngritur padi për shpifje dhe fyerje ndaj Dafina Zeqirit, për postimin e së cilës nënvizohet se përveç që ka thënë shumë të pavërteta, ka dëmtuar reputacionin e Zatriqit dhe familjes së tij.
Ndër të tjera, në padi thuhet se postimet e këngëtares kanë ndikuar rëndë në raportet e Zatriqit me familjen në rrethin e ngushtë dhe të gjerë.
I pyetur nga Kiks Kosova, ish-menaxheri i BABASTARS ka thënë se është shumë e rëndësishme për të që ta luftojë deri në fund këtë rast.
Zatriqi ka kërkuar hiq më pak së gjysmë milioni euro si vlerë për kompensim, ndërsa në postimin e tij në Facebook, ai ka shkruar se vlerën e dëmshpërblimit do t’ua dhurojë grave të Krushës.
E gjithë ngjarja filloi me reagimin e këngëtares Dafina Zeqiri ndaj dhunimit të 11-vjeçares. Ajo publikoi një video ku shihej duke qarë, lot të cilët Zatriqi i quajti “lot krokodili”.
Ai tha se të njëjtit kanë heshtur në lidhje me një rast, për të cilin ai tha që është i ngjashëm, por kishte të bënte me një koleg të tyre, duke iu referuar këngëtarit Butrint Imeri.
Dhe këtu filluan të dalin të pathënat.
Zeqiri në Twitter e kishte quajtur Zatriqin abuzues dhe një mori ofendimesh të tjera.
I menjëhershëm ishte reagimi i Zatriqit, i cili tha se e sfidon këngëtaren që të publikojë dëshmi publike lidhur me akuzat e bëra.
E gatshme për gjykatë, Zeqiri, në një postim tjetër, e pyeti Zatriqin se pse kishte ikur nga Kosova.
Të gjitha këto postime këngëtarja i kishte fshirë më vonë.
Kiksi provoi të marrë edhe një përgjigje nga menaxhmenti i Dafina Zeqirit, mirëpo ata nuk kthyen përgjigje.
https://www.youtube.com/watch?v=lGCrAaTyMnU
●●●
FHSHKRIMI NGA
Florentina Hoti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.