Shërbimi i shpërndarjes së skedarëve, Dropbox, prezantoi dje veçorinë e re Dropbox Comments, që lejon përdoruesit të shtojnë shënime dhe komente tek follderët.
Veçoria, e cila ka qenë më përpara në dispozicion vetëm tek shërbimi Dropbox për bizneset, lejon shumë njerëz që të lënë përshtypjet e tyre dhe të komentojnë në lidhje me një follder të shpërndarë në Dropbox. Përdoruesit mund të ftojnë edhe njerëz që nuk kanë llogari në Dropbox, për të hapur follderët dhe lexuar komentet, por nëse duan të japin mendimin e tyre, ata duhet të regjistrohen tek llogaria e tyre.
Dropbox nisi si një shërbim i thjeshtë për ruajtjen e follderëve në cloud (re). Tani ky shërbim është pasuruar me disa veçori të reja që e bëjnë atë shumë të dobishëm për përdoruesit. Kompania krijoi vitin e kaluar disa aplikacione dedikuar fotove dhe mesazheve elektronike, ndërsa para disa javësh nisi testimin e një versioni beta të Dropbox Notes, që lejon disa përdorues të redaktojnë të njëjtin dokument.
Veçoria e re e komenteve për momentin është në dispozicion vetëm për versionin ueb të Dropbox, dhe së shpejti do të vijë edhe tek versioni për pajisjet mobile.
●●●
KTSHKRIMI NGA
KlanKosova Test
Editorial nga Klan Kosova — ndjek tech & auto dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.