Dy persona u plagosën në Baltimore, ShBA, pasi agjentë të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të ShBA-së (ICE) qëlluan me armë zjarri ndaj një automjeti në lëvizje, gjatë një operacioni arrestimi, njoftuan autoritetet amerikane.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, agjentët e ICE tentuan të arrestonin dy burra, një shtetas të Portugalisë dhe një të El Salvadorit, të cilët dyshohet se qëndronin ilegalisht në ShBA. Ngjarja ndodhi të mërkurën në Glen Burnie, Maryland, raporton “AlJazeera”, transmeton K.
ICE bëri të ditur se agjentët i kërkuan drejtuesit të automjetit të ndalonte motorin, por ai nuk bashkëpunoi dhe, sipas autoriteteve, përplasi automjetin e tij me disa makina të tyre.
Të dy të plagosurit morën trajtim mjekësor, ndërsa asnjë agjent i ICE nuk u lëndua gjatë incidentit, sipas autoriteteve federale.
Policia lokale konfirmoi për “ABC News” se drejtuesi i një furgoni të bardhë kishte tentuar të godiste agjentët gjatë arrestimit, çka çoi në hapjen e zjarrit. Automjeti u ndal më pas në një zonë të pyllëzuar të lagjes rezidenciale Glen Burnie.
Guvernatori i Marylandit, Wes Moore, deklaroi se është në dijeni të incidentit dhe se autoritetet shtetërore do të publikojnë më shumë informacion sapo të avancojë hetimi. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.