Qëndrimi në Hagë iu zgjat edhe për një ditë, të tretën.
Arsyeja ishin pyetjet e shumta të gjyqtarëve, që pasuan me pyetje shtesë të mbrojtjes për James Rubin.
Më shumë sesa u befasua në sallë, ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit është i çuditur me natyrën e pyetjeve që iu bënë në Gjykatën Speciale për Kosovën, për të cilat ka reflektuar dhe është shprehur pas dy javësh, në një intervistë për Christiane Amanpour.
Rubin, që ishte dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, dëshmoi gjatë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të pastrukturuar dhe të paorganizuar, por vlerëson se ka folur para një trupi gjykues që, sipas tij, e ka ndarë mendjen për vendimin, tashmë.
Por ish-zyrtari i lartë amerikan vlerëson se, tashmë, gjëja e vetme e duhur që mund të bëjnë gjyqtarët Charles Smith, Gueanwl Mettraux dhe Christoph Barthe, kur të vendosin mbi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që rëndojnë mbi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, është t’i lirojnë të katërtit nga secila pikë e aktakuzës.
Diplomati është i bindur se kjo çështje e Speciales dhe akuzave të pabazuara mund të zgjidhet përmes bisedimeve ndërmjet Amerikës, Evropës, Kosovës dhe Serbisë. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=tE_eMBufHPM
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.