Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte pjesëmarrës në ekspozitën e poetit, shkrimtarit e publicistit Ben Blushi, të titulluar “Shqiptarë të Panjohur” që u hap mbrëmë në Tiranë.
Ekspozita fotografike e Blushit po mbahet në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, për të cilën Rama tha se ishte “ekspozitë befasuese fotografish”.
“Për të mos u humbur. Një ekspozitë befasuese fotografish nga Ben Blushi”, shkroi Rama, transmeton Klankosova.tv.
Për titullin e ekspozitës, “Shqiptarë të Panjohur”, Blushi tha se e ka emëruar kështu në emër të të gjithë atyre njerëzve të panjohur që i ka takuar në rrugët, qytetet dhe fshatrat e vegjël të Shqipërisë.
Autori i kësaj ekspozite, Blushi, përmes 42 fotografive na fton të shohim përtej sipërfaqes, të çmontojmë narrativën e zakonshme dhe të përqafojmë një Shqipëri më të pasur dhe më të gjerë, ku çdo individ, i njohur ose i panjohur, është pjesë e historisë dhe kulturës së vendit.
Në këtë cikël fotografish “Shqiptarë të Panjohur” janë të përfshirë njerëz të panjohur të cilët autori i ka takuar në rrugët e Shqipërisë, në qytete dhe fshatra të vogla.
Kurator i ekspozitës është Rubin Kadiu. /Klankosova.tv
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.