Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zhvilluar aksion mëngjesin e sotëm në koordinim me Policinë e Kosovës, ku është kryer një urdhër kontroll në një lokacion në lagjen “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, lidhur me rastin ‘Sekiraqa-Capat’, ku mbeti i vrarë një person, në shtator 2024, raporton Klankosova.tv.
Si rezultat i bastisjes, është arrestuar një person për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.
Klankosova.tv ka mësuar ekskluzivisht se sipas informacioneve të para, i arrestuari është familjar i 'Capave'.
Gjatë kontrollit, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale.
Kujtojmë se familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt qe një kohë, u përfshinë në këtë incident të armatosur, ku u vra një person dhe pesë të tjerë u plagosën.
Nga familja Sekiraqa, kishte mbetur i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, dhe po ashtu edhe Korab Gashi (vëllai i viktimës), Robert Llumnica dhe Valdrin Ademi. /Klankosova.tv
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
https://klankosova.tv/rasti-sekiraqa-capat-arrestohet-edhe-nje-person-per-tentim-vrasje-bastisje-ne-prishtine/
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.