15.11.2022 · përditësuar para 1310 dite1 min lexim
Në galerinë e Ambasadës së Kosovës në Sofje është hapur ekspozita ‘Ngjyrat e shqiptarëve’, iniciativë kjo e përbashkët me Ambasadën e Shqipërisë.
Në këtë ekspozitë janë shfaqur fotografitë më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë – të cilat janë fituese të edicionit të sivjetmë të konkursit të organizuar me të njëjtin emër nga ministritë përkatëse, transmeton Klan Kosova.
“Ishte ky një rast i veçantë që në muajin e shqiptarëve, në një ngjarje të veçantë të bashkëpunimit kulturor ndërshqiptar të përkujtohet edhe 114 vjetori i fillimit të punës së Kongresit të Manastirit apo Kongresit të Alfabetit dhe pesëdhjetëvjetori i Kongresit të Drejtshkrimit, të arritura të pamohueshme në unifikimin e gjuhës shqipe si një prej elementëve më të fuqishëm të identitetit kombëtar”, shkruan në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Sofje.
“U vlerësua lartë prezenca e diasporës e të dyja vendeve në aktivitet, ndërsa e jashtëzakonshme ishte edhe pjesëmarrja e studentëve bullgarë të cilët mësojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes të cilët me recitimet e tyre dëshmuan përkushtimin dhe dashurinë e tyre ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare”.
Aktiviteti kulmoi me recitimin e artistit të merituar Zehrudin Dokle dhe me tingujt e mrekullueshëm të muzikës xhaz nga Sheki Hoxha international band.
klankosova.tv
●●●
H
SHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.