"Elektroseveri" duket se e ka gjetur mënyrën për të blerë kohë nga marrëveshja për energjinë mes Kosovës e Serbisë.
Distributori i rrymës në veri ka dorëzuar të dhëna të mangëta të konsumatorëve të kësaj zone të KOSTT, gjë që nuk mundëson zbatim të plotë të udhërrëfyesit për të cilin janë pajtuar palët në Bruksel më 21 qershor.
"Nga ana e 'Elektroseverit' në KOSTT janë pranuar të dhënat e konsumatorëve të cilat ne i kemi përcjellë në Zyrën e Rregullatorit. Por siç kemi marrë informatë nga Zyra e Rregullatorit, është e nevojshme që këto të dhëna të shihen edhe një herë se a janë të dhënat e nevojshme sepse nuk janë të kompletuara nga ana e 'Elektroseverit'", tha Jeton Mehmeti, kryesues i bordit në KOSTT.
Përmes burimeve, Klan Kosova e ka konfirmuar edhe brenda Zyrës së Rregullatorit se të dhënat janë vlerësuar si jo të plota. Bëhet fjalë për mungesë të adresave të sakta të konsumatorëve dhe numrave serikë të orëve të rrymës. Ndërsa të dhënat e dërguara janë shumë të përgjithësuara.
Për këtë problem është njoftuar edhe qeveria, po që s'i është përgjigjur pyetjeve të televizionit.
Kurse, Bashkimi Evropian shpjegoi se e ka lehtësuar arritjen e ujdisë mes "Elektrosever" dhe KOSTT më 18 tetor, për ofrimin e të dhënave, por nuk tregoi nëse ka pranuar ankesa për mangësinë e tyre.
"Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë më tej detyrimet e tyre në pritje të Udhërrëfyesit pa vonesa të mëtejshme. Me afrimin e shpejtë të dimrit, nuk ka kohë për të humbur", thuhet tutje në përgjigjen e BE-së për Klanin.
Sidoqoftë, plotësimi i të dhënave që po kërkohen nga autoritetet në Prishtinë nuk është çështje ditësh, por mund të marrë kohë të paktën mbi një muaj.
Në anën tjetër, KOSTT është në pritje të finalizimit të këtyre procedurave, në mënyrë që të vijojë me investimet në nënstacionin Vallaç.
"Në atë nënstacion nuk ka pasë qasje për një kohë shumë të gjatë, mund të themi më shumë se 22 vjet, dhe siç kemi informacione ky nënstacion nuk është në gjendje të mirë dhe ka nevojë për investime të nevojshme për shërbime apo transmetimin e energjisë elektrike në mënyrë kualitative".
Sa e si do të investohet, mbetet të vendoset më pas bashkë me qeverinë në Prishtinë.
https://www.youtube.com/watch?v=eD26sPu-jNY
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.