27-vjeçari Emin Haziri është shef i kuzhinës që tashmë ka marrë Michellin Star.
Në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ai ka treguar se si ka nisur pasioni i tij për kuzhinën dhe sfidat që i ka pasur me familjen.
“Më 2002 me familje kemi shkuar në Itali, Trieste. Pastaj nisa shkollimin, por erdhi koha që të përcaktohem se çka të bëj me veten. Unë kisha pasion kuzhinën, kisha dëshirë të bëhesha shef kuzhine, por nëna thojke jo. Është punë e lodhshme, dhe nuk ke me pas jetën tënde. Të gjitha nënat kanë qejf që fëmijët të bëhen avokatë e doktorë, por unë doja të bëhesha kuzhinier”, thotë Emini, raporton Klankosova.tv.
Ai tregoi se si profesori në shkollë, kur ky i kishte 16 vjet, i kishte thënë nënës së tij se ai nuk do të bëhet kurrë kuzhinier. Emini tha se nëna u gëzua shumë.
Por Emini tha se nuk është dorëzuar pasi thotë se e ka pasur pasion kuzhinën.
Me 18 vjet, ai thotë se ka nisur të punojë në top-restorante.
Emini ka punuar edhe në restorantin e shqiptarit Rene Rexhepi, “Noma” në Kopenhagë, i cili për pesë vjet ka qenë top-restorant.
Pastaj thotë se ka punuar në Francë e Itali, ndërsa shton se me 24 vjet është bërë shef kuzhine.
“Me 24 vjet i kam pasur 20 veta në kuzhinë. Me 25 vjet e kemi marr Yllin e Michellinit”, tregon ndër të tjera Emin Haziri.
Rreth 2 muaj më parë, ai ka hapur edhe restorantin e tij në Milano, por thotë se dëshira e tij ka qenë që të kthehet në Kosovë e ta sjellë kulturën e përvojën e tij që e ka marrë gjatë kësaj kohe.
Dëgjojeni më poshtë rrëfimin e tij në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova:
https://youtu.be/4NS4Z3jKi5o
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.