Gjithçka ishte menduar deri në detajin më të vogël. Asgjë nuk ishte lënë rastësisë. Në pjesën ku do të kalonte çifti, ishin vendosur lule të bardha, pemë të gjalla dhe elementë që flisnin për elegancë të thjeshtë por me peshë simbolike. Në secilën nga 300 karriget e të ftuarve të ceremonisë gjendej nga një ftesë e personalizuar, jo për t’u lexuar, por për të kujtuar se kush ishte aty.
Ceremonia që çifti kishte planifikuar ta mbante larg vëmendjes publike, në fakt u pa më shumë se sa u komentua. Ekipi i Prive në Klan Kosova ishte aty, jo për të thyer privatësinë, por për t’i sjellë publikut ndjesinë dhe detajet nga dasma.
25 korriku do të mbetet një datë e veçantë për familjen Rugova dhe për historinë simbolike që u shkrua mes brezash. Vajza e ish-presidentit historik të Kosovës, Teuta Rugova, u kurorëzua me partnerin e saj, Agron Gjelloshin, në një ceremoni solemne të mbajtur në Katedralen "Nënë Tereza" – në po të njëjtin vend ku ndodhet edhe busti i babait të saj, presidentit Ibrahim Rugova.
Zgjedhja e këtij vendi nuk është shpjeguar publikisht. Nuk e dimë nëse ishte thjesht një dëshirë e çiftit, një ndjenjë intime e lidhur me kujtimin e babait të saj, apo thjesht një simbolikë që fliste vetë. As Teuta, as Agroni, e as familjarët nuk pranuan të flasin për kamerat. Dhe ndoshta, kjo heshtje tha më shumë se një intervistë.
Në ambient nuk mungonin as flamujt shtetërorë, por as ai ish presidentit Rugova. Një kombinim mes respektit institucional dhe emocioneve personale.
https://www.youtube.com/watch?v=-8JeiiDrquM
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek prive dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.