Epidemiologu kosovar, Sinan Rizvanolli, sot në Info Magazinë, ka folur për rrezikshmërinë e përhapjes së lisë së majmunëve.
Rizvanolli tha se kjo sëmundje ngjason shumë me variola vera, e njohur në popull si lija e madhe.
"Kjo është një sklerozë virale që përcillet nga kafshët te njeriu, i ka simptomat e ngjashme si variola vera e vitit 1972, por për dallim është më e lehtë dhe ka vdekshmëri më të vogël", ka thënë Rizvanolli në Info Magazinë.
Sipas Rizvanollit, kjo sëmundje ka një fazë inkubacioni nga gjashtë deri në 13 ditë, në raste të rralla mund të shkojë edhe deri në 21 ditë.
Ai madje tha se personat mbi 50 vjeç në Kosovë, janë më të mbrojtur nga kjo sëmundje sesa personat nën këtë moshë. Pasi sipas tij, ata kanë marrë vaksina kundër lisë së madhe, e cila tha se është e ngjashme me linë e majmunëve.
"Imunitet kanë personat e vjetër mbi 50 vjet, ata që kanë pasur rastin të vaksinohen kundër variola verës. Ndërkaq moshat e reja që s'kanë marrë vaksinë, pasi marrja e saj është ndërprerë në vitin 1977-78, janë të rrezikuar. Fëmijët, personat me imunitet të dobët dhe gratë shtatzëna janë më të rrezikuarit nga kjo sëmundje", shtoi ai, njofton Klankosova.tv
Rizvanolli tha se OKB-ja është mjaft e shqetësuar për paraqitjen e kësaj sëmundjeje, pasi të infektuarit në Evropë, Kanada, Amerikë e Australi, nuk kanë pasur kontakt me vendet afrikane ku ky virus është i pranishëm.
"OKB-ja është e shqetësuar sepse të gjitha rastet që janë shfaqur në Evropë, Amerikë, Kanada e Australi, nuk ka pasur të dhëna që kanë udhëtuar në shtete endemike".
Ai tha se kjo sëmundje përcillet me kokë dhimbje, dhimbje të muskujve, ethe, ndryshime të lëkurës dhe forma e përhapjes së këtij virusi dallon nga COVID-19, pasi kjo përhapet kur keni kontakt direkt me lezionet e të sëmurit, puçrrat, lëngjet e trupit, piklat e pështymës, shtrojat e shtratit të të sëmurit.
Ai tha se çdokujt që i shfaqen simptoma të tilla, ose që kanë udhëtuar në shtetet afrikane, duhet të izolohet dhe të hulumtohet në detaje nga stafi mjekësor nëse është i infektuar ose jo.
Sipas tij, meqenëse nuk ekziston një vaksinë për këtë virus të gjithë janë të rrezikuar.
https://www.youtube.com/watch?v=JchATNYN3XY
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.