Jeffrey Epstein kërkoi ndihmë nga një ish-zyrtar i lartë rus në lidhje me shërbimin e inteligjencës FSB për të mbledhur informacione mbi një grua që ai pretendonte se po përpiqej të shantazhonte bashkëpunëtorët e tij në Nju Jork, sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Dokumentet tregojnë se në vitin 2015 Epstein i shkroi Sergei Belyakovit, ish-zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik të Rusisë dhe i diplomuar në Akademinë e FSB-së, duke i kërkuar një favor lidhur me një grua ruse që, sipas tij, kishte tentuar zhvatje ndaj një grupi biznesmenësh të fuqishëm.
Në përgjigje, Belyakov tha se do të siguronte informacion për të. Disa ditë më vonë, ai i dërgoi Epstein-it një përshkrim të shkurtër mbi të kaluarën e gruas dhe aktivitetin e saj të dyshuar në fushën e eskortës, duke theksuar se ajo nuk kishte mbështetje dhe se ndalimi i hyrjes së saj në SHBA mund të ishte një kërcënim real për biznesin e saj.
Sipas dokumenteve, marrëdhënia mes dy burrave nuk kufizohej vetëm në këtë rast. Belyakov, i cili pas largimit nga qeveria ruse mori role në forume dhe kompani të mëdha, kishte kërkuar nga Epstein ndërmjetësim për takime me figura të njohura të biznesit amerikan, përfshirë investitorin Peter Thiel dhe miliarderin Thomas Pritzker.
Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Epstein kishte tentuar të krijonte kanale komunikimi me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov, megjithëse nuk ka prova se këto përpjekje rezultuan me sukses./Klankosova.tv
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.