Në skenën e muzikës shqiptare, po shfaqen gjithnjë e më shumë zëra të rinj që sjellin freski dhe emocion. Një prej tyre është Era Emurli, një artiste 21-vjeçare nga Tetova, e cila sapo ka bërë debutimin e saj të parë me këngën “E kam dashtë” të realizuar në studion e Agoos Music.
Me një energji të veçantë dhe pasion të madh për muzikën, Era po i hapë rrugë vetes në një industri që kërkon talent dhe goxha guxim.
Në një intervistë për Klankosova.tv, ajo rrëfeu shumëçka për rrugëtimin e saj, inspirimet dhe planet për të ardhmen.
Prej nga je dhe sa vjeçe je?
Jam nga Tetova dhe jam 21 vjeçe. Aktualisht jam studente e Inxhinierisë së Softuerit në SEEU. Përveç muzikës, jam aktive edhe në jetën profesionale – punojmë familjarisht në depon tonë të barnave. Gjithmonë kam qenë një person me shumë energji dhe ambicie – më pëlqen të jem e zënë, të mësoj, të krijoj dhe të zhvillohem në më shumë se një drejtim. Muzika është pasioni im i madh, por gjithmonë kam dashur të ndërtoj një bazë të fortë edhe në anën profesionale dhe akademike. Si fëmijë kam qenë shumë aktive edhe në sport – për disa vite kam luajtur futboll dhe ajo më ka ndihmuar që të ndërtoj disiplinë, vetëbesim dhe shpirt garues – gjëra që sot i bart edhe në artin tim.
Si nisi rrugëtimi yt në muzikë?
Muzika ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Që e vogël kam pasur pasion të këndoj dhe të kompozoj me piano, por këtë vit vendosa ta marr seriozisht dhe të sjell projektin tim të parë. Ishte një hap me shumë emocione, por i duhuri për me nis këtë rrugëtim.
Cilat janë emocionet që përjetove kur publikove projektin tënd të parë?
Ka qenë një miks ndjenjash – emocion, ankth, entuziazëm. Ishte një ndjenjë shumë e veçantë të ndaj një pjesë timen me publikun për herë të parë. Reagimet pozitive më dhanë shumë shtytje për me vazhdu tutje.
Çfarë lloj muzike bën dhe kush të ka frymëzuar më shumë?
Stili im është një përzierje mes dancehall dhe pop, por jam e hapur që të eksploroj edhe stile të tjera të ndryshme – më pëlqen të eksperimentoj. Më kanë frymëzuar shumë artiste si Raye dhe të tjera që sjellin energji, lirshmëri dhe identitet të fortë.
Çfarë mesazhi do që publiku të marrë nga muzika jote?
Nuk jam këtu me imitu askënd, veç po mundohem me u rrit, me mësu, edhe me sjell emocione reale për njerëz që ndoshta po kalojnë të njëjtat gjëra.
Cilat janë planet për këtë verë?
Kam shumë projekte që janë në proces, dhe mezi pres t'i ndaj me publikun. Njëri prej tyre do të publikohet shumë shpejt – vetëm edhe pak! Po përgatitem për të sjellë një valë të re energjie këtë verë, dicka më ndryshe.
Çka mund të presim nga ti në të ardhmen?
Dua të ndërtoj diçka që zgjat, që lidh njerëz, që le gjurmë. Jo thjesht muzikë, por një ndjenjë që të kthehet prapë sa herë e dëgjon./Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=qRnSOgOej9U&list=RDqRnSOgOej9U&start_radio=1
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek prive dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.