Lajmet e fundit

“Jeni të gjithë të ftuar në Zubin Potok të Kosovës dhe Metohisë për të marrë pjesë në Kupën Botërore të Rafting 2019”, shkruan në ftesat e Federatës Botërore për Rafting.
Klan Kosova ka telefonuar Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Raftingut, Matteo Benciolini, i cili ka thënë se kjo garë në Zubin Potok nuk është organizuar nga Federata e Serbisë, por nga Federata Botërore e këtij sporti.
“Kjo garë është e organizuar nga Federata Botërore e Raftingut në bashkëpunim me Federatën e Serbisë. Ne nuk jemi të interesuar në politike dhe kjo është një mundësi e mirë për t’i bashkuar njerëzit”.
“Vendimi për t’i zhvilluar garat në Zubin Potok nuk është i Federatës serbe”.
I pyetur se si e komenton faktin që kosovarët mund ta konsiderojnë këtë organizim sportiv si ndërhyrje e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, Benciolini ka thënë “nuk mund ta komentoj këtë”.
“Sporti bëhet për t’i bashkuar njerëzit dhe kjo garë nuk është asgjë më shumë sesa sport”.
Por në fakt del se kjo Federatë e ka caktuar si menaxher Slavica Visekruna i cili nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe i është referuar asaj si “Kosovë dhe Metohi”.
Shpjegim: Rafting është aktivitet rekreativ që praktikohet kryesisht në lumenj. Zakonisht një grup sportistësh me barkë lundrojnë në lumenj që konsiderohen si të rrezikshëm për të lundruar.
klankosova.tv