Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon këtë të diel me garën rrethore, e cila do të zhvillohet në Ferizaj, njofton Klan Kosova.
Pas Gjakovës e Prizrenit, kjo është gara e tretë në këtë disiplinë për të cilën interesimi është mjaft i madh.
Shtegu i garës do të jetë te rrethrrotullmi në afërsi të Hib Petrol, ndërsa FASK-u dhe AK Ferizaj i kanë marrë të gjitha masat për përgatitje sa më të mirë. Në këtë drejtim, me ndihmën e Kompanisë “Eskavatori” janë bërë edhe intervime për t’i sanuar gropat për gjatë shtegut.
Paraqitja në garë fillon që nga ora 8:00, ndërsa pas procedurave të zakonshme, gara pritet të fillojë në orën 12:00, në të cilën do të ketë një vozitje, por që do t’i ketë tre rrathë.
Nga ora 10:30 rruga do të jetë e mbyllur për veturat civile.
Në Ferizaj nuk do të paraqitet njëri nga garuesit më të mirë, i rikthyeri Gazmend Gashi, i cili dëshiron që veturën më tepër ta ruajë për gara malore.
“Për shkak të mundësive të kufizuara financiare dhe mungesës së sponsorëve, jam i detyruar të mungoj në garën e Ferizajt në mënyrë që të përqendrohem më tepër për garat malore, diciplinë kjo më e preferuar për mua”, është shprehur Gazi.
Mungesa e sponsorëve është problem edhe për shumë garues tjerë, megjithëse është pritur që pas pranimit të FASK-ut në FIA gjërat të lëvizin pozitivisht.
Kjo do të jetë gara e fundit para “çmendurisë“ së madhe, e cila një javë më vonë do të ndodhë në Aeroportin Ndërkombëtar, “Adem Jashari”, kur në program është “Drag Race”, për të cilën interesimi është i jashtëzakonshëm, si për nga numri i pjesëmarrësve, ashtu edhe për shikuesit.
klankosova.tv
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.