Bekim Gashit nga Ferizaj i është bllokuar qasja në shtëpinë e tij nga punimet që po i realizon një kompani private.
Sipas tij, kompania “Konica Constuction”, ndërtimet në ngastrën kadastrale 3493-0 ZK Ferizaj është duke i bërë pa leje.
Gashi, përmes avokatit të tij Haxhi Dërguti, ka deponuar kërkesë në Inpektoratin Komunal të Ferizajt për ndërprerje të punimeve, bazuar edhe në padinë që i njëjti ka bërë në Gjykatën Themelore në Ferizaj (Departamenti i Përgjithshëm), raporton Klankosova.tv.
Padia e Gashit është aprovuar nga Gjykata, e cila edhe i ka caktuar kompanisë në fjalë Masën e Sigurisë, duke iu ndaluar punimet ndërtimore.
Kjo masë, në aktvendimin e gjykatës thuhet se duhet të vlejë deri në zgjidhjen e çështjes kontestimore.
Aktgjykimi i Themelores, të cilin e ka siguruar Klankosova.tv, ka vërtetuar se “paditësi ka të drejtën fqinjësore të kalimit të domosdoshëm nëpër parcelën kadastrale me numër P-72217092-01846 ZK Ferizaj, pronë e të paditurës ‘Konica Construction’ Sh.P.k”.
“Detyrohet e paditura që të drejtën fqinjësore të kalimit të domosdoshëm si në pikën II të dispozitivit të këtij aktgjykimi, t’ia pranojë paditësit dhe të njëjtën ta kthejë në gjendjen e mëparshme të kalueshme”, thuhet në pikë 3 të Aktgjykimit.
Sipas paditësit Bekim Gashi, kompania nuk e ka përfillur aktvendimin dhe aktgjykimin e gjykatës, ndërsa sot edhe ia ka bllokuar në tërësi qasjen në shtëpi.
Në padinë që Gashi kishte bërë ndaj kompanisë “Konica Construction”, kërkonte që t’i caktohej masa e sigurisë.
“Ish-pronarët e ngastrës fqinje me nr. 01846-3, ngastrën e tyre e kanë dhënë për ndërtim të përbashkët afaristo-banesor me tani Paditësen ‘Konica Construction’ Sh.P.K., e cila gjatë punimeve në hapjen e bodrumit ku me këtë rast Paditësit i është pamundësuar hyrja në pronën e tij, sepse Paditësi për të hyrë në pronën e tij nga rruga kryesore e ka shfrytëzuar pronën e tani të Paditurës si kalim të domosdoshëm sepse nuk ka qasje apo mënyrë tjetër të kalimit për ta shfrytëzuar për banim ngastrën me nr. 01846-3 në të cilën e ka të ndërtuar edhe shtëpinë ngase kjo rrugë ka qenë rrugë e përhershme të cilën palët e kanë shfrytëzuar të papenguar njeri me tjetrin”, thuhej në kërkesëpadinë e Bekim Gashit. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.