Emocione të përziera ka çdo herë që ia mësyn varrezave të dëshmorëve në Ferizaj. Nëna e Rexhep Demirit, Vahidja, ndjen krenari e mërzi edhe këtë 17 shkurt, për djalin që iu vra në moshën 20-vjeçare në front të luftës në Jezerc.
“Hallall tokës së Kosovës, veç inshallah gjaku i tyne nuk hupë, inshallah ju të rinjtë e gëzoni e unë jam shumë krenare”, u shpreh ajo, njofton Klan Kosova.
Nderime për të rënët bëjnë edhe dhjetëra qytetarë që u mblodhën për homazhe. Se mëvetësia e shtetit do të ishte e pamundur pa dëshmorët e thotë edhe kreu i komunës, por s’e lë pa i përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Etërit e pavarësisë nuk i kemi sot në festën tonë dhe prandaj e bën më ndryshe festën, jo të plotë pavarësisht asaj që ne duhet ta shënojmë atë, sepse për këtë punuan ata”, tha Agim Aliu.
Ndërkohë për përvjetorin e 15 të Kosovës u mbajt edhe një akademi solemne në teatrin e qytetit ku të ftuar specialë ishin Selami Kolonja, Teuta Kurti dhe Liridon Sadriu.
“Do të përmbyllet me një ekspozitë kolektive në Galerinë e Arteve për nder të përvjetorit të pavarësisë ku do të ndahet çmimi ‘Gursel Sylejmani’, artistit, dëshmorë”, tha Xhemile Murati Shabani, Drejtoresha e Kulturës në Ferizaj.
Atmosfera festive nuk mungoi as në sheshin e qytetit, ku pati edhe të tillë që erdhën nga jashtë vendit veç për këtë ditë. Aktivitete të ndryshme në shënim të ditës së pavarësisë pati edhe gjatë javës në Ferizaj.
*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
https://www.youtube.com/watch?v=p7uwtvJiE9Q
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.